
Debate e mospajtime janë zhvilluar në “Politiko” në mes të komentatorëve politikë, Halil Matoshit dhe Fidan Ramës lidhur me votat e diasporës.
Matoshi ka deklaruar se është kundër që diaspora të votojë në Kosovë, pasi siç tha ai, ata votojnë në bazë të narrativës emocionale.
Por megjithatë, ai theksoi se është pro sigurimit të ulësve në Kuvendin e Kosovës për diasporën.
“Modeli më i mirë është me vepru për diasporën me diasporën dhe jo ata me pru vota në Kosovë me vagona, por me pru veten në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Matoshi.
Rama ka theksuar se kandidatët nga diaspora shpeshherë bien pre e mashtrimit nga subjektet politike.
“Kjo nuk është faji i tyne. Është propagandë dhe mashtrim i vazhdueshëm i krejt subjekteve politike që ia kanë ba diasporës”, ka thënë Rama.
Matoshi ka theksuar gjithashtu se votat e PDK-së në Drenicë, votat e Listës Serbe në diasporë dhe votat e diasporës për VV-në janë jodemokratike.
“A është demokratike në Drenicë me votu 80% PDK dhe në veri Listën Serbe dhe në diasporë me votu Albinin. Këta më kanë thanë që s’është demokratike e tash thojnë që është”, ka thënë Matoshi.
Rama ka theksuar se vota në veri nuk mund të krahasohet me atë në Drenicë, pasi ajo në veri është votë me shantazh.
“Gabim e ki. Vota në veri nuk krahasohet me Drenicën sepse atje është votë me presion. Atje është votë me shantazh”, ka thënë Rama. /Gazeta10/