
Një debat i drejtpërdrejtë mbi performancën ekonomike të Qeverisë dhe investimet kapitale është zhvilluar mes komentatorit politik Fidan Rama dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në emisionin “Politiko” në Kanal 10.
Rama ngriti shqetësimin se, pavarësisht rritjes së buxhetit shtetëror gjatë mandatit të Qeverisë Kurti, investimet kapitale nuk kanë shënuar avancimin e pritur. Sipas tij, një pjesë e madhe e shpenzimeve është orientuar në shtesa dhe mbështetje sociale, ndërsa mungojnë projektet e mëdha infrastrukturore që do të mbeteshin si trashëgimi e qeverisjes.
Duke iu drejtuar kryeministrit, ai kërkoi të dijë se cilat mund të konsiderohen arritjet kryesore kapitale të ekzekutivit gjatë pesë viteve të fundit.
“Politikat që keni ndjek kanë pas një stagnim në investimet kapitale, 20 miliardë janë shumë buxhet. Çka mundet të numërohej si arritur kapitale e qeverisjes Kurti për këto 5 vite. Shembull në të kaluarën kanë qenë autostradat”, ka thënë Rama.
Krahasimi me projektet infrastrukturore të qeverive të kaluara nuk është pritur mirë nga Kurti, i cili reagoi menjëherë duke thënë se qeverisja e tij nuk duhet të matet me premtimet dhe prioritetet e kundërshtarëve politikë, por me programin që ka prezantuar para qytetarëve.
“Kam një përshtypje që më keni ngatërru me ata të opozitës, mua mundeni me mat me premtimet e mia jo me tyre, prandaj po them me keni ngatërru me ta”, ka thënë Kurti. /GAZETA10/