Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Sabiha Husiq, thotë se Kosova duhet të mësojë nga gabimet e Bosnjes

Gazeta10
28 May 2023 - 19:12

Raporti: Elhame Salihu-Makolli /Kanal10

Drejtoresha e organizatës “Medica Zenica”, që vepron në Bosnje dhe Hercegovinë, Sabiha Husiq, ka kërkuar nga autoritetet e Kosovës që të marrin mësim nga gabimet e autoriteteve boshnjake, rreth padisë ndaj Serbisë për kryerjen e gjenocidit në Kosovë.

Kosova duhet të mësojë nga gabimet që ka bërë Bosnjë dhe Hercegovina, rreth padisë ndaj Serbisë dhje kryerjen e gjenocidit në luftën e fundit në Kosovës.

Këtë mesazh e ka dhënë drejtoresha e organizatës “Medica Zenica”, që vepron në Bosnje dhe Hercegovinë, Sabiha Husiq.

Ajo thotë se shteti duhet të krijojë mjedis të sigurt për të mbijetuarat që dëshmojnë për atë çfarë kanë përjetuar dhe që autorët e këtij krimi të ndiqen penalisht.

Husiq tregon për përvojat e këtij vendi në trajtimin e viktimave të dhunës seksuale nga kriminelët serbë.

Për ndëshkimin e krimeve të luftës, Husiq shton se nuk janë të mjaftueshëm katër prokurorë, sa aktualisht numëron Kosova.

“Është një pyetje shumë e vështirë, do të them përsëri duke u bazuar në përvojën time që kam punuar për 30 vjet që vërtet nuk mjafton, këto kapacitete nuk janë të mjaftueshme sepse bëhet fjalë për krime të tilla… delikate lufte, veprat kriminale ku me të vërtetë kërkohet shumë kohë, derisa e dimë që bëhet fjalë për mijëra gra që i mbijetuan përdhunimit dhe dhunës seksuale, atëherë vërtet nuk mjaftojnë as katër, as pesë e as shtatë prokurorë”.

Ajo tregon se tash e tri dekada kanë ofruar qindra shërbime për të mbijetuarat e dhunimeve seksuale, atyre të dhunës në familje dhe në komunitet.

“Ajo që ne po përpiqemi të bëjmë në fushën e de-stigmatizimit, pra të flasim për këtë temë, të flasim me të rinjtë që ata të njoftohen për këtë traumë specifike, por në të njëjtën kohë së bashku të ngremë zërin dhe të themi se përdhunimi dhe dhuna seksuale nuk mund të jenë faji i grave apo vajzave, dhe as i meshkujve sigurisht. Përkundrazi, komuniteti dhe familja janë të detyruar t’i pranojë, t’i ndihmojë të krijojnë një mjedis të sigurt që nuk do t’i ri-traumatizojnë prapë.”, tha ajo.

Megjithatë, Husiq thotë se vështirë do të dihet numri i saktë i viktimave, meqë shumë prej tyre kanë vdekur e të tjera janë larguar nga vendi i tyre pas luftës.

Ndërsa, në luftën e fundit në Kosovë, llogariten se 20 mijë gra e burra janë dhunuar seksualisht. /Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.