Gazeta10

Serwer: Marrëveshja e fundit i ka dy probleme të mëdha

Daniel Serwer, profesor në Universitetin John Hopkins në Washington, ka thënë se Aneksi Zbatues i marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ka dy probleme të mëdha. I pari, sipas tij, është se “ai fokusohet në proces, jo në substancë”, dhe se “Serbia refuzoi sërish ta nënshkruajë”.

Serwer në një analizë të publikuar sot shkruan se “risia kryesore procedurale është inkorporimi i detyrimeve në të dy marrëveshjet në detyrimet e anëtarësimit të të dyja vendeve në BE”.

Marrëveshja e re parashikon gjithashtu një grup monitorimi të kryesuar nga Bashkimi Europian. Këto dispozita, sipas Serwer, kanë qenë të nënkuptuara gjatë gjithë kohës.

“Më shumë e obligojnë BE-në sesa Serbinë dhe Kosovën. Për më tepër, detyrimi nuk shtrihet në njohjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, pasi që marrëveshja e normalizimit nuk është në këtë pikë referimi”, shkruan ai.

Serwer përmend se Aneksi e detyron Kosovës që t’i fillojë menjëherë negociatat për vetëmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë dhe në këtë riformulim të marrëveshjes së vitit 2013, ai sheh dy veçori.

“Së pari: shmang formën specifike institucionale të origjinalit. Kjo në sytë e Prishtinës përfaqësonte një kërcënim potencial për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Së dyti: i referohet ‘komunitetit serb’. Kjo sugjeron se nuk vlen për komunat ekzistuese, por vetëm për ato brenda Kosovës që e konsiderojnë veten qytetarë serbë”, shkruan profesori amerikan, transmeton Gazeta express.

E para është qartë në avantazhin e Kosovës, sipas tij. “E dyta është për Serbinë, pasi eliminon detyrimet ndaj shumicës së joserbëve”.

Më tej ai analizoi motivet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për të mos e nënshkruar marrëveshjen. Sipas Serwer, ato janë të qarta.

“Ai i frikësohet reagimit të brendshëm në Serbi, ku mbretërojnë pasionet etnike nacionaliste dhe urrejtja ndaj shqiptarëve. Ai dëshiron ta shmangë çdo barazi formale me dikë që do të insistojë të identifikohet si Kryeministër i Republikës (e pavarur dhe sovrane) të Kosovës”.

“Zyrtarët e BE-së dhe SHBA-së do të donin që të besoni se kjo nuk ka rëndësi. Por ka. Sipas ligjit ndërkombëtar, marrëveshjet e nënshkruara e detyrojnë një shtet. Të panënshkruarat jo. Serbia mund të largohet nga të gjitha marrëveshjet me Kosovën, pasi ato janë të panënshkruara. Në fakt, nuk ka zbatuar shumë. As Kosova. Nënshkrimet do të bënin një ndryshim të madh. Prandaj Vuçiq reziston”, shkruan Serwer.

Profesori amerikan thotë se amerikanët dhe europianët i kanë bërë shumë presion kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që ta obligojë Kosovën.

“Brukseli dhe Uashingtoni kanë marrë një qasje të ndryshme me Vuçiqin”, thotë ai, duke theksuar se atë “e kanë shpërblyer paraprakisht”.

“Askush nuk kritikon devijimin e Serbisë drejt autokracisë apo korrupsionit të saj”, shkruan Serwer, duke theksuar vizitat e Vuçiqit dhe investimet ndërkombëtare në Serbi.

Kjo, sipas tij, ia jep Vuçiqit “hapësirën diplomatike që i nevojitet për refuzimin e nënshkrimit”.

“Edhe konferenca e donatorëve e premtuar në marrëveshjen e fundit është me interes margjinal, pasi Serbia ka shumicën e asaj që dëshiron tashmë”, thotë ai.

Çka mungon?

Serwer thotë se marrëveshja e fundit “nuk ka reciprocitet”.

“Serbia merr ‘vetëqeverisjen’ për qytetarët e saj në Kosovë, por shqiptarët që jetojnë në Serbinë jugore nuk kanë asgjë të krahasueshme”, shkruan profesori amerikan, duke theksuar se telashet që ua bën shteti serb shqiptarëve në Serbi nuk përmenden fare.

“Nuk ka afate për t’i arritur qëllimet e përcaktuara”, shkruan Serwer, duke renditur vërejtjen e radhës.

“Një marrëveshje e fokusuar në proces pa nënshkrime i lë shumë negociatave të ardhshme. Ky është më shumë tym dhe pasqyrë sesa substancë. Ka më shumë gjasa të gjenerojë konfuzion të mëtejshëm sesa paqe”, përfundon Serwer analizën e tij.

NË FOKUS

418182730_743633051288017_6642594476175055703_n
E dhimbshme: Kjo është gruaja që vdiq pasi u plagos me armë në Prishtinë, ishte kalimtare rasti
900-0-policia-naten-ne-shkoder-vrasje-972x579-1
E dhimbshme: Ky është i riu që u vra sonte në Prishtinë
Adriana-Matoshi-2-668x375-1
Adriana Matoshi në iftar me ish bashkëshortin dhe të birin
LAJMI-I-FUNDIT
Këta janë dy vëllezërit e dyshuar për vrasjen e rëndë në Prishtinë, ende në arrat
konf
Kështu nisi konflikti mes “Cucit” dhe vëllezërve Berisha që përfundoi me dy viktima në Kolovicë
850x600_ilustrim-shiriti-i-ndalimit-policia-e-kosoves-foto-Ridvan-Slivova-3-780x439-11619711563
Policia jep detaje për vdekjen e Triumf Feratit
vrasje
Dy meshkuj gjenden të pajetë në Prishtinë, policia jep detajet e fundit  
Tri
Personi që u gjet i vdekur në Gurrakoc është vëllai i kryetarit të Istogut