
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi në Politiko reagoi ndaj disa deklaratave të kryeministrit Kurti, duke i cilësuar ato shqetësuese dhe të papërshtatshme për një sistem demokratik.
Kabashi tha se gjuha e përdorur nga kryeministri, ku ai shprehet se “do t’ua japë” ose “do t’ua marrë” ndonjë ministri apo post të rëndësishëm shtetëror, është në kundërshtim me parimet bazë të demokracisë.
“Është shumë shqetësuese me e dëgju fjalorin që e përdor kryeministri i vendit. Nuk është e tij me dhënë ose me marrë asgjë askujt, sepse kjo është demokraci,” tha Kabashi në Politiko.
Ajo theksoi se demokracia nuk nënkupton pushtet absolut, por qeverisje brenda kufijve institucionalë dhe kushtetues.
“Nëse Kurti e ka keqkuptuar demokracinë, duhet me rishiku edhe njëherë konceptin e saj. Demokracia nuk do të thotë pushtet absolut,” shtoi Kabashi.
Deputetja e PDK-së u ndal edhe te çështja e shumicës parlamentare, duke thënë se edhe pse ka 51% të votave, kjo nuk i jep të drejtë të veprojë pa konsensus institucional.
“Ata që kanë 51%, le të krijojnë institucionet, por në të kaluarën, edhe me më pak vota janë krijuar institucionet. Madje është hequr dorë edhe nga pozita të rëndësishme vetëm për hir të stabilitetit shtetëror,” deklaroi ajo.
Deklarata e plotë: https://youtu.be/uB_sRYxq2fA