
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka uruar Ylfete Fanajn, shqiptaren e cila është zgjedhur ministre në qeverinë e kantonit të Luzernit, shkruan Gazeta10.
Osmani ka thënë se Fanajn e njeh edhe më herët dhe se ajo dëshmon zell e vendosmëri për përmirësimin e politikave në Luzern.
”Në vitin 2021, pata kënaqësinë ta takoj znj. Ylfete Fanajn, në cilësinë e kryetares së Parlamentit të Luzernit në Zvicër dhe ta përgëzoj për sukseset e saj prej vitesh në shtetin helvetik. Ajo dëshmoi zell dhe vendosmëri për përmirësimin dhe avancimin e politikave për të gjitha komunitetet pa përjashtim. Sot, kam kënaqësinë ta uroj me zemër që u bë ministrja e parë kantonale me prejardhje nga Kosova, njëherësh gruaja e parë kosovare, së cilës i besohet një detyrë ekzekutive.”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Tutje, ajo ka thënë se Ylfetja është frymëzim për gratë e vajzat tona dhe dëshmi se me punë dhe përkushtim gjithçka është e arritshme./Gazeta10