Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Shtyhet seanca ndaj Sveçlës dhe të tjerëve për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend

Gazeta10
06 February 2024 - 10:51

Është shtyrë seanca e shqyrtimit fillestar në rastin ndaj zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Koosvës më 21 mars të vitit 2018

Seanca e cila ishte e planifiuar për sot, është shtyrë për datën 28 shkurt.

Zyrtarët e VV-së, Xhelal Sveçla, Drita Millaku, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi, gjatë periudhës që ishin deputetë të Lëvizjes, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Përdorim i armës ose mjetit të rrezikshem” dhe “Pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Aktakuza ndaj tyre ishte ngritur më 29 korrik të vitit 2019 nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Gjyqtari i rastit Sabit Sadikaj, është arsyetuar për shtyerjen e seancës duke thënë se po pret përgjigje nga Drita Millaku për shkak të gjendjes shëndetësore.

Nëse nuk përmirësohet, gjykata pritet ta veçojë procedurën ndaj saj dhe të tjerëve.

Sveçla, Zyba dhe Pacolli, para gjykatës kanë thënë se nuk konsiderojnë se kanë nevojë për avokatë.

Gjyqtari i ka njoftuar se mbrojtja është e obligueshme dhe se do të caktojë avokatë sipas detyrës zyrtare për ta.

Deputetët e VV-së nëpërmjet gazit lotsjellës protestonin në Kuvend në përpjekje për të ndaluar votimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

Sveçla aktualisht është ministër i Punëve të Brendshme ndërsa tre të tjerët janë deputetë të VV-së.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.