Lajme

​Stano për marrëveshjen Serbi-Rusi: Kjo është shenjë për qëllimin e forcimit të lidhjes së tyre

Gazeta10
26 Shtator 2022 - 16:04

Bashkimi Evropian ka reaguar për marrëveshjen mes Serbisë dhe Federatës Ruse, e cila u nënshkrua javën e kaluar për bashkëpunim në sferën e politikës së jashtme. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë se kjo tregon për qëllimin e qartë të forcimit të lidhjes së këtyre dy vendeve.

Ai në konferencë për media u shpreh se Rusia është e përfshirë në pushtim të paligjshëm dhe agresion ndaj Ukrainës, e cila është vend sovran.

Stano ka deklaruar se Rusia po shkel të drejtën ndërkombëtare të Kartës së OKB-së.

“Po jetojmë në një kohë kur Rusia është e përfshirë në një pushtim të paligjshëm dhe agresion ndaj vendit sovran, fqinjit të saj Ukrainës, dhe Rusi në baza ditore është duke shkelur të drejtën ndërkombëtare të Kartës së OKB-së. Forcat e saj të armatosura po kryejnë mizori kundër popullit ukrainas, përveç kësaj, vetëm pak ditë më parë, Rusia bëri të ditur planin për një përshkallëzim dhe konfrontim të mëtejshëm nga ky i ashtuquajtur mobilizim i pjesshëm dhe referendum ilegal për aneksimin e pjesëve të territorit ukrainas”, ka thënë Stano.

Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme ka komentuar marrëveshjen mes Serbisë dhe Rusisë, ku deklaroi se kjo tregon për forcimin e lidhjes së këtyre dy vendeve.

“Pra, nëse në këto rrethana po shohim se Ministria e Jashtme e Serbisë po bie dakord për konsultime të rregullta me ministrin e jashtëm të një vendi që po i kryen të gjitha këto akte, kjo është një shenjë shumë e qartë për qëllimin e tyre për të forcuar lidhjet e tyre, për të forcuar më tej marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Rusisë dhe kjo po ngre pyetje serioze. Bashkimi Evropian ishte shumë i qartë me vendet tona partnere, veçanërisht me vendet që janë në procesin e anëtarësimit në BE, siç është vendi kandidat Serbia, se marrëdhëniet me Rusinë në rrethanat aktuale nuk mund të jenë të zakonshme”, ka shtuar Stano.

Po ashtu, në konferencë për media, Stano ka thënë se Serbia shpalli anëtarësimin në BE si prioritet strategjik.

“Me këtë regjim që po bën kaq shumë krime dhe kaq shumë mizori, dhe ne po e marrim këtë shumë seriozisht dhe po e ndjekim këtë. Mund të kujtoj vetëm se Serbia me vendimin e saj e shpalli anëtarësimin në BE si prioritet strategjik, e përkushtuar në rrugën drejt BE-së, duke shpresuar përfundimisht të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian dhe ky vendim nënkupton përafrim me politikat evropiane, duke përfshirë çështjet e politikës”, ka përfunduar zëdhënësi i BE-së.

Javën e kaluar Serbia ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Rusinë mbi çështjet e politikës së jashtme. Kjo marrëveshje u nënshkrua në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara./kp/Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.