10 LIVE

Sulmet ndaj Kushtetueses, shihen si ndërhyrje në sistem të drejtësisë

Gazeta10
27 Mars 2023 - 18:56

Raporti: Gentiana Gashi / KANAL10

Njohës të sistemit të drejtësisë thonë se Qeveria e Kosovës është duke ndërhyrë dhe duke cenuar pavarësinë e sistemit gjyqësor, pas komentimeve ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Sipas organizatave joqeveritare, kjo qasje tregon se ekzekutivi ka dështuar në reformat e drejtësisë. Ata u kanë bërë thirrje zyrtarëve qeveritarë që të përmbahen nga komentimi i vendimeve gjyqësore.

Rrëzimi i Projektligjit për Këshillin Prokurorial, nuk është i vetmi vendim që ka marr Gjykata Kushtetuese në kohën e Qeverisë Kurti.

Kjo gjykatë, kishte rrëzuar edhe disa nisma të tjera ligjore që ishin marr nga ekzekutivi i udhëhequr nga Vetëvendosje, derisa më pas kanë pasuar komentimet ndaj vendimeve të Kushtetueses.

Projektligjet me mangësi ligjore dhe komentimi i vendimeve gjyqësore të zyrtarëve qeveritarë, nga njohës të sistemit po shihen si të papranueshme dhe si ndërhyrje në drejtësi.

Sipas Gzim Shalës nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk duhet të shihet si fitore e opozitës, por dështim i qeverisë në reforma për drejtësinë.

Qasjen e ekzekutivit ndaj vendimit të Kushtetueses e kanë parë si ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit edhe nga Instituti Demokratik i Kosovës.

“Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, me anë të një konference për media, ka atakuar njoftimin e Gjykatës, duke vënë në dyshim jo vetëm përmbajtjen e vendimit por edhe mospublikimin e deritanishëm të tij. Një qasje e tillë e ekzekutivit në kontestimin publik të vendimeve të gjyqësorit – vlerësojmë që përbën ndërhyrje në pavarësinë e sistemit gjyqësor, por edhe cenon parimin kushtetues të ndarjes, balancimit dhe kontrollit të pushteteve.” ka deklaruar Instituti Demokratik i Kosovës.

Kurse, avokati Arbër Jashari ka vlerësuar se asnjë vendim i organit më të lartë juridik nuk mund të atakohet, derisa deklaratat e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu i ka quajtur të pamatura dhe subjektive.

Ndryshe, disa nga nismat ligjore të ndërmarra nga kjo qeveri dhe të rrëzuara nga Gjykata Kushtetuese janë ai për Këshillin Prokurorial, vendimet që lidhen me masat anti-COVIDt, si dhe ai për rastin e Ministrisë së Arsimit ndaj Komunës së Kamenicës.

Ndërkaq, janë edhe disa nisma tjera ligjore që janë dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, siç është Ligji për Byronë e Verifikimit dhe Konfiskimit të Pasurisë, Ligji për Zyrtarë Publikë e të tjerë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.