
Sylvinho është prezantuar sot si trajneri i ri i kombëtares shqiptare.
48-vjeçari brazilian, i cili luajti me skuadra si Barcelona, Arsenali dhe Manchester City, ka firmosur një kontratë 18-mujore me FSHF-në.
Ish-mbrojtësi i majtë, i cili ka punuar si ndihmës i Tites te Brazili dhe Roberto Mancinit tek Interi, preku shumë tema në konferencën për shtypin, zbuloi pse zgjodhi Shqipërinë dhe tregoi objektivat e tij në krye të kuqezinjve.
“Doja t’u falënderoja që jeni këtu. Jam i kënaqur për nisjen e kësaj aventure. Puna e një trajneri është e vështirë, kurrë e thjeshtë. Duhet të bëjmë zgjedhje, herë fiton e herë jo. Falënderoj Rejën për punën e bërë, për këta futbollistë, zemrën dhe pasionin. Kemi dëshirë të sjellim rezultate pozitive për të dërguar Kombëtaren në pozicionin e duhur. Këtë pashë kur takova presidentin për herë të parë. Edhe ai pa te ne urinë dhe dëshirën për të bërë mirë, për t’i dhënë vazhdimësi projektit” deklaroi Sylvinho.
Debutimin e tij si trajner I ‘Kuqezinjëve’, Sylvinho pritet ta bëjë në mars të këtij viti, ku kombëtarja Shqiptare do të filloj kualifikimet për Kampionatin Europian “EURO 2024”.