Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Tahiri: Kosova nuk mund të hyjë më në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE

Gazeta10
15 Maj 2024 - 8:21

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri ka thënë se Kosova nuk mund të hyjë më në Agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit Evropian.

Ai ka folur edhe në lidhje me kushtëzimin e Kosovës nga bashkësia ndërkombëtare për anëtarësimin në Këshillin Evropian, ku Kosova duhet të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ai u shpreh se këtë çështje e sheh shumë të padrejtë.

“Tek drafti unë kam dilemë dhe du me i thanë disa çështje, e para unë e shohë kushtin, kushtëzimin që e ka ba bashkësia ndërkombëtare e shohë tepër të padrejtë, se si janë sjellë me Kosovën në këtë formë e shoh tepër të padrejtë”, tha Tahiri.

Tahiri është shprehur se Kosova nuk mund të hyjë më në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit Evropian.

“Qysh me hi, po nuk është aty me hi koperativa në Kërpimeh me i than shtine qaty. Ajo është e kryme, ka qenë takimi, ky është takimi i zëvendës ministrave, jo i zëvendësministrave qysh i njohim ne por ministrat përfaqësohen nga ambasadorët dhe quhen zëvendësministra. E kanë pas një takim të ngjashëm javën e kalume nuk e kanë mbyll takimin sikur që janë mbyll sot seancat parlamentare me pritë mos po bon diçka, e kanë mbyll takimin edhe ditën e mirë”, tha Tahiri në RTV 21.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pranuar tashmë se anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës po kushtëzohet me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kurti, tha javën e kaluar se qeveria e tij nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke cilësuar “absurd” një kushtëzim të tillë.

Kurti tha se Kosova e meriton anëtarësimin në KiE pasi plotëson standardet e kërkuara, por shtoi se kërkesa për Asociacionin, si kusht për t’i hapur rrugë Kosovës drejt KiE-së, është absurde dhe joparimore. Kurti u shpreh i zhgënjyer edhe me aleatët e Kosovës, teksa tha nuk e mendonin që shtetet që kanë qenë përkrahëse të Kosovës drejt çlirimit dhe pavarësimit, do të ishin pengesë për rrugën drejt KiE-së.

Këshilli  që mblidhet këtë javë pritej që të votonte për kërkesën e Kosovës, e cila muajin e kaluar mori dritën jeshile nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, duke nxitur besimin në Prishtinë për përmbushjen e këtij synimi dhe zemërimin në Beograd.

Disa nga vendet perëndimore, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, e shndërruan në kusht për votën e tyre hedhjen e hapave konkretë nga Kosova për themelimin e Asociacionit, në bazë të një projektstatuti të hartuar nga diplomatë perëndimorë që iu dorëzua palëve në tetor të vitit të kaluar.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.