
Avokati Taulant Hodaj, në Adresa tha se shoqëria po përballet me një nivel gjithnjë e më të lartë polarizimi, negativiteti dhe gjuhe urrejtjeje, të cilin e ka cilësuar si shqetësues për zhvillimin demokratik dhe social.
Sipas tij, situata aktuale paraqet një ndryshim të dukshëm krahasuar me periudhat e mëparshme, duke theksuar se një klimë e tillë nuk është parë më parë në këtë intensitet.
“Jemi në një situatë pak të çuditshme. Jemi vazhdimisht në lëvizje në shtete të ndryshme dhe po shohim një polarizim, negativitet dhe urrejtje si asnjëherë më parë. Besoj se kemi kaluar një kufi të caktuar,” ka thënë Hodaj.
Ai shtoi se edhe roli i faktorit ndërkombëtar është më i tërhequr në krahasim me të kaluarën, gjë që ka krijuar pasiguri dhe konfuzion në opinion publik.
“Kemi menduar se KFOR-i dhe UNMIK-u do të kujdesen më shumë, por tani duket se nuk po merren fare me këtë situatë dhe kemi filluar të çoroditemi,” u shpreh ai.
Hodaj vlerëson se përdorimi i gjuhës së urrejtjes dhe ndasisë mund të sjellë përfitime afatshkurtra politike, por dëmton shoqërinë në tërësi.
“Me gjuhë të urrejtjes mund të fitosh vota, por duhet të kthehemi te argumenti dhe pozitiviteti, sepse në këtë vend nuk kemi shumë nga kjo frymë,” theksoi ai.
Sipas tij, nevojitet një qasje më konstruktive në diskursin publik për të shmangur thellimin e ndarjeve shoqërore dhe politike.
Deklarata e plotë: https://youtu.be/4iqFKdB0OhU