Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Vlora Çitaku pas deklaratave të Konjufcës: Nuk ka punë të turpshme, turp është përçmimi ndaj njerëzve që punojnë ndershëm

Gazeta10
19 May 2026 - 22:26

Vlora Çitaku nga PDK-ja i ka reaguar Glauk Konjufcës pas deklarimeve të tij që janë interpretuar si ofenduese ndaj Vjosa Osmanit, duke përdorur epitetin “frizerkë”, i cili është konsideruar me ton përçmues ndaj ish-presidentes.

Çitaku ka thënë se ajo njeh shumë frizerë dhe frizere që punësojnë dhjetëra gra e burra, mbajnë familje dhe kontribuojnë në ekonomi përmes pagesës së taksave.

Sipas saj, problemi nuk qëndron te profesioni, por te mënyra se si ai përdoret si mjet për nënçmim ndaj një gruaje tjetër.

Ajo e ka cilësuar të papranueshme këtë qasje, duke theksuar se çdo punë e ndershme meriton respekt dhe vlerësim.

Postimi i plotë:

Çdo punë e bërë me nder duhet trajtuar me respekt.

Secili prej nesh ka një rol dhe një funksion në shoqëri. Secili njeri që punon ndershëm e me përkushtim meriton vlerësim.

Unë njoh frizerë e frizere që punësojnë dhjetëra gra e burra, që mbajnë familje, që paguajnë taksa, përmes të cilave paguhemi edhe ne si zyrtarë publikë.

Prandaj, nuk do të shqetësohesha fare për këtë krahasim, sikur të mos ishte ngarkesa pezhorative që po i mvishet këtij profesioni të ndershëm.

E kur përdoret nga një politikan si mjet për ta sulmuar e nënçmuar një grua tjetër, atëherë bëhet edhe më e turpshme.

Nuk ka punë të turpshme.

Turp është arroganca dhe përçmimi ndaj njerëzve që punojnë ndershëm

Postimi i plotë: https://www.facebook.com/vlora.citaku.15712/posts/953394073988175?ref=embed_post

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.