
Të enjten ka përfunduar seanca përmbyllëse ndaj Salih Mustafës i njohur si CALI në Gjykatën Speciale në Hagë, i cili është i akuzuar për krime lufte dhe ndaj të cilit është kërkuar një dënim prej 35 viteve burgim nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, raporton Gazeta10.
Seanca përmbyllëse ndaj Salih Mustafës i njohur si “Komandat Cali”, ka zgjatur tri ditë ku fjalën përfundimtare rreth këtij procesi e ka pasur pala mbrojtëse e viktimave, Zyra e Prokurorit të Specializuar si dhe pala mbrojtëse e Salih Mustafës me avokatin Julius Von Bone.
Mbrojtja: Nuk ka prova për fajësinë e Mustafës
Pala mbrojtëse teksa ndër të tjera ka thënë se Salih Mustafa është i pafajshëm, ka akuzuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar për ndryshim të dëshmive.
”ZPS-ja e ka ndryshuar qëndrimin e saj, nga një ndërtesë në tre ndërtesa, ku njerëzit janë mbajtur. Të gjithë dëshmitarët e ZPS-së janë intervistuar nga ZPS-ja lidhur me një ndërtesë të vetme, dhe jo tre
ndërtesa”, ka thënë avokati mbrojtës Julius Von Bone.
Tutje, ai ka specifikuar ndryshimin e qëndrimit të ZPS-së që lidhet me vendodhjen e një kompleksi.
”ZPS e ka mashtruar mbrojtjen, ose e ka keqdrejtuar mbrojtjen, duke ndryshuar befas vendndodhjen nga një në dy të tjera. Ne do ta trajtojmë këtë çështje në mënyrë kronologjike, siç kanë rrjedhur ngjarjet”, ka thënë më tej avokati mbrojtës.
Prokurori: Mustafa të dënohet me 35 vite burgim për krimet
Nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, teksa ndër të tjera, janë arsyetuar dhe mbrojtur dëshmtië që janë dhënë nga dëshmitarët në kuadër të këtij procesi, ZPS-ja ka akuzuar mbrojtjen për akuza të pabaza ndaj
saj.
“Përpara se të vazhdojë të nderuar, sot në mëngjes mbrojtja bëri akuza ndaj ZPS-së duke pretenduar pabazë se ZPS-ja për herë të parë e ka ndryshuar qëndrimin e vet gjatë ecurisë së kësaj çështjeje lidhur me të burgosurit në vendin ku ata janë mbajtur në kompleksin e ndalimit në
Zllash”, është thënë nga Prokuroria.
Konsekuenca e dëshmitarëve ishte njëri nga argumentet e ZPS-së për mbrojtjen e qëndrimit të tyre.
“Asgjë nuk mund të jetë më lartë e vërtetë, për këtë çështje dëshmitarët e ZPS-së dëshmuan
në mënyrë konsekuente lidhur me vendin e ndalimit”, është thënë ndër të tjera nga Prokuroria.
Pala mbrojtëse e viktimave, në fajën e saj, ka thënë se Salih Mustafa dhe njerëzit e tij
kanë bërë krimet për të cilat po ngarkohen.
“Ju dhe njerëzit tuaj keni bërë ndalim arbitrar dhe keni bërë krimet për të cilat jeni ngarkuar”, është thënë ndër të tjera.
Tutje, pala mbrojtëse e viktimave ka theksuar rëndësinë e ndalimit të tourturës në rregullat e luftës.
“Ndalimi i toruturës është absolut dhe është një nga rregullat kryesore të luftës”, ka thënë mbrojtja.
Aktakuza ndaj Salih Mustafës është konfirmuar me 12 qershor 2020, teksa gjykimi ka filluar me 15 shtator 2020.
Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar.
Në procesin gjyqësor ndaj tij janë paraqitur 15 dëshmitarë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, dhe 15 dëshmitarë nga pala mbrojtëse e të akuzuarit.
Pasi ka përfunduar seanca përbyllëse në të cilën të gjitha palët kanë dhënë fjalët e tyre përfundimtare është bërë e ditur se verdikti final në këtë rast jepet brenda 90 ditëve.
Salih Mustafa ishte arrestuar me 24 shtator të vitit 2020.
Mediat raportuan se nga kërkesa e Prokurorit për dënimin e Mustafës, paradoksalisht ishte kërkuar dënim më të madh se sa të gjithë të akuzuarit serbë të Jugosllavisë nga ish Tribunali i Hagës.
Kush është Sali Mustafa?
Mustafa ka qenë pjesë e organizimit të Lëvizjes Kombëtare për Çlirim, që nga viti 1988, nën udhëheqjen e Afrim Zhitisë, Fahri Fazlisë e Fadil Vatës.
Gjatë veprimtarisë ilegale, ishte arrestuar nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, në vitin 1993 dhe është dënuar me 5 vjet burgim për organizim të kryengritjes së armatosur.
Në gusht të vitit 1997, pasi përfundon dënimin me burgim, Mustafa ishte angazhuar për organizimin dhe shtrirjen e UÇK-së në rajonin e Prishtinës, Obiliqit, Gjilanit, Vitisë e Kamenicës.
Ka udhëhequr njësitet guerile të UÇK-së nën emrin guerilja BIA deri me themelimin e zonave operative të Llapit dhe Karadakut.
Mustafa ka qenë bashkëveprimtar dhe mik i Bahri Fazlisë, Agron Rrahmanit, Ilir Konushevcit, Raif Qelës, Fatmir Humollit, Isa Kastratit e shumë figurave të tjera historike.
Sahil Mustafa ka qenë një nga themeluesit e LKQK-së. Kurse pas përfundimit të luftës vazhdoi misionin e tij për ndërtimin e institucione shtetërore.
Fillimisht shërbeu si shef i Departamentit informativ të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, pastaj edhe si këshilltar për inteligjencë i kryeministrit Agim Çeku.
Kujtojmë se Salih Mustafa është i akuzuari i parë për krime luftë që po pret verdiktin nga Gjykata Speciale. Në qendrën e paraburgimit nën akuza për krime lufte është edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. / Gazeta10