
Raporti: Viola Korça / Kanal10
Pa asnjë shkollë të re, me pak çerdhe e hedhje gurthemelesh, u përmbyll edhe një vit në Kosovë.
Gjatë 2022-ës, as edhe një nismë nuk u mor për përmirësimin e cilësisë në sektorin e arsimit, i cili mbetet i ranguar keq në të gjitha vlerësimet vendore e ndërkombëtare.
Nisma nuk pati as në ndonjë reformë substanciale, me gjithë zotimet se një gjë e tillë do të nisë së zbatuari.
Një vit tjetër, që vendi nuk shënoi ndonjë progres në fushën e arsimit, të cilin sektor vazhdojnë ta braktisin nxënësit, mësimdhënësit, për një jetë më të mirë diku tjetër.
Një vit tjetër, që nuk shënoi edhe as një veprim të vetëm në përmirësimin e kushteve në arsim, madje as në rritje të pagave për mësimdhënësit, një kërkesë kjo e vazhdueshme viteve të fundit.
Si shkak i kësaj, Kosova tashmë njihet si vend që grevat e përcjellin në vazhdimësi.
Me kërkesën për rritje të pagave, 1 shtatori i këtij viti nuk i solli nxënësit në bankat shkollore, pasi që grevat tashmë kishin hyrë në javën e parë të tyre.
Për një muaj rresht, asnjë mësim për nxënësit, asnjë e arritur për ta, e asnjë shkronjë e hedhur në fletoret e tyre të reja për një vit të ri shkollor.
Një muaj i tërë i karakterizuar me akuza e kundër-akuza, me përplasje e tensione ndërmjet sindikalistëve të arsimit dhe Qeverisë së Kosovës, e cila kundërshtonte kërkesat e mësimdhënësve për ndarjen e shumës prej 100 euro, deri në miratim të Ligjit për Pagat.
Një muaj të tërë kërkesa e Sindikatës së Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës për një takim me kryeministrin e vendit, Albin Kurti, por i cili në vazhdimësi refuzonte takimin me kreun e kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj.
Ky i fundit, u përball me sulme, kritika e akuza të shumta nga eksponentë të pushtetit, me arsyetimet se është i nxitur nga partitë opozitare për të shkaktuar kriza në arsim.
Një muaj të tërë, SBASHK-u që fajësonte Qeverinë se nuk po i merr parasysh kërkesat e tyre dhe ekzekutivi që akuzonte sindikalistët si të nxitur dhe të ndikuar nga politika.
Ata që rëndom humbin në këso rastesh, janë fëmijët.
Takimi shumëpritur mes kryeministrit Kurti dhe Jasharajt u mbajt më 13 shtator, por që nuk prodhoi ndonjë gjë të re, por vetëm vazhdim i akuzave dhe kritikave.
Të tilla pamje e akuza, vazhduan dhe nuk u ndalën as në ditët në vijim, deri në fund të shtatorit, atëherë kur pavarësisht mos realizimit të kërkesave, SBASHK-u vendosi që ta ndërpresë grevën dhe që mësimi të fillojë nga 3 tetori.
Por, drama në këtë sektor nuk përfundoi këtu, pasi që reagimet e kundërshtimet u rritën pasi që Ministria e Financave nuk ekzekutoi pagat për mësimdhënësit grevistë, një praktikë e paparë në të kaluarën e Kosovës.
Për humbjet që kanë pësuar nxënësit, do të merret vesh pas pak kohë, pasi gjatë këtij viti, u mbajt testi PISA, në të cilin Kosova viteve të kaluara ishte ranguar në fund të listës.
Sidoqoftë, për dallim nga muaji shtator, që në shkollat publike nuk mbahej mësimi, në privatë, ato i kishin hapur dyert me kohë dhe procesi mësimor mbahej normalisht.
Një nga momentet më të vlefshme të vitit 2022, ishte prezantimi i Abetares së përbashkët Kosovë-Shqipëri.
Kurse, përveç nivelit të arsimit parauniversitar, edhe në institucionet publike të arsimit të lartë nuk është se u shënua ndonjë progres me një rëndësi të madhe.
Në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” pati protesta e aksione me akuzat për plagjiaturë të disa profesorëve.
Ndërkohë, kah fundi i vitit 2022, u shkarkua edhe rektori i këtij universiteti Naser Sahiti, vendim ky që nxiti reagimin e organizatave jo-qeveritare, duke e akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po e kap edhe UP-në.
Pavarësisht, kritikave e akuzave të tyre, Sahiti mbeti i shkarkuar, derisa në vend të tij u emërua Qerim Qerimi.
Ndërkohë, gjatë vitit 2022, Agjencia e Kosovës për Akreditim është rikthyer si anëtare në ENQA, por jo me të drejta të plota, nga i cili institucion ishte përjashtuar vite më parë, pas akuzave për ndërhyrje të politikës.
Me gjithë investimet në objekte të reja, Kosova vazhdon të ketë ende probleme me shkollat dhe kushtet e tyre.
Ato vazhdojnë të përballen me mungesë të kabineteve, laboratorëve, fushave sportive e rekreative, e shumë të tjera.
Institucionet e vendit, janë zotuar se për vitin 2023 do të ketë investime në ndërtimin e shkollave dhe çerdheve të reja, si dhe shtimin e stafit të nevojshëm, derisa do të nisin punën edhe asistentët për fëmijët me nevoja të veçanta.