Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Vrasja në Viti, familjarët e të dënuarve publikojnë videon e ngjarjes (VIDEO)

Gazeta10
03 July 2023 - 10:26

Familjarët e Samet dhe Fisnik Ismajli, dy të dënuar për vrasjen e kushëririt të tyre M.I., e kanë cilësuar skandaloz aktgjykimin e Gjykatës së Apelit që e la në fuqi dënimin me burgim ndaj të dënuarve, ndonëse ua zbuti dënimin me disa vite më pak burgim.

Disa javë më parë, Gjykata e Apelit e vendosi që Samet dhe Fisnik Ismaili, si dhe kushëriri i tyre Besmir Ismajli, të vuajnë secili nga 21 vite burgim për vrasjen e M.I. në Sadovinë të Vitisë më 2019.

Sipas një reagimi të familjarëve të Samet dhe Fisnik Ismaili, asnjëri prej tyre nuk janë fajtorë për vrasjen e kushëririt të tyre.

“Përmes këtij reagimi publik, avokatët e dy të akuzuarve për një vrasje me dashje të ndodhur në Sudovinë të Gjilanit, njoftojnë publikun e gjerë rreth procesit dhe gjykimit skandaloz, i cili për epilog nxjerrë fajtor dy qytetar të pafajshëm për një vepër për të cilën nuk janë fajtor, duke i dënuar secilin me burgim me nga 21 vite secilin pa e goditur/prekur viktimën”, thuhet në reagim.

Familjarët e dy të dënuarve kanë publikuar një video të vrasjes së ndodhur në nëntor të vitit 2019.

Sipas tyre, kjo provë dëshmon se Samet dhe Fisnik Ismaili nuk e kishin prekur me dorë të ndjerin, i cili kishte vdekur pas lëndimeve të marra nga goditjet me shufra metalike.

“Në materialin e bashkëlidhur mund të shihet në video, e shënuar me shigjeta, se të dënuarit Samet dhe Fisnik dhe familjarët e tyre në pronën e tyre sulmohen nga familja e të ndjerit”, thuhet në reagim.

Prokuroria Themelore në Gjilan, në nëntor të 2019-ës, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Besmir, Samet, Fisnik, Ismet dhe Hizri Ismajli, me arsyetimin se të njëjtit, në maj të vitit 2019, në fshatin Sadovinë me dashje dhe në bashkëkryerje, për motive pasurore-pronësore, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin M.I.

Sipas aktit akuzues, kjo ka ndodhur në atë mënyrë që të akuzuarit fillimisht shkojnë për të punuar në pronën kontestuese, e cila gjendet në afërsi të shtëpisë së tani të ndjerit M.I, me këtë rast ky i fundit me familjarët e tij dalin për të biseduar lidhur me arritjen e një marrëveshjeje, për çka këta të fundit refuzojnë, e që më pas vazhdojnë me fyerje, të cilat sjellin eskalimin e situatës deri në konflikt fizik.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të pandehurit me mjete të forta si drunj dhe shufra metalike, e godasin tani të ndjerin në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar gërvishtje dhe gërvishtje lëkurore, për çka i njëjti nga familjarët transportohet në Shtëpinë e Shëndetit në Viti, e më pas si rast urgjent dërgohet në Qendrën Emergjente të Spitalit Regjional në Gjilan.

Pas kësaj, i ndjeri transferohet në QKUK në Prishtinë, ku edhe konstatohet vdekja e tij si rezultat i gjakderdhjes masive në kokë, e shkaktuar nga përdorimi i mjeteve të forta.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.