
Rreth 373 milionë shtetas të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian do të mund të votojnë në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, që do të mbahen më 6-9 qershor.
Për këto zgjedhje ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti, i cili përmes një video ka treguar se kush mund të votojë nga diaspora shqiptare.
Për BE, Kurti ka kërkuar nga bashkatdhetarët që jetojnë nëpër shtete anëtare të Bashkimit Evropian, e që kanë të drejt vote, të votojnë për Aleancën Progresiste të Socialistëve dhe Demokratëve.
Çfarë është Parlamenti Evropian?
Parlamenti Evropian është trupi i vetëm i Bashkimit Evropian që përfaqëson shtetasit e vendeve anëtare. Funksioni i tij primar përfshin negocimin e ligjeve të BE-së me anëtarë të qeverive, që përfaqësohen prej Këshillit Evropian.
Parlamenti Evropian, po ashtu, miraton buxhetin e BE-së dhe voton për marrëveshjet ndërkombëtare, si dhe për zgjerimin e bllokut evropian.
Ky institucion ka përgjegjësi mbikëqyrëse, përfshirë fuqinë për të miratuar apo refuzuar emërimin e presidentit të Komisionit Evropian – pozitë në të cilën është aktualisht Ursula von der Leyen e Gjermanisë – dhe të komisionarëve.
Për dallim prej parlamenteve kombëtare, Parlamenti Evropian nuk ka të drejtë të propozojë ligje, por mund të negociojë ligjet e propozuara prej Komisionit Evropian.
Parlamenti Evropian përbëhet prej 720 anëtarëve dhe zgjedhjet për të mbahen çdo pesë vjet.
Deputetët e këtij instutucioni e zgjedhin më pas presidentin për një mandat dy vjet e gjysmë.
Presidentja aktuale në shkuarje është Roberta Metsola e Italisë.
Parashikimet për zgjedhjet e vitit 2024
Gjashtë prej 10 shtetasve të BE-së kanë shprehur interesim për të votuar në këto zgjedhje, ka treguar një sondazh i kryer prej Agjencisë së Statistikave të BE-së, Eurostat, në prill.
Parashikimet e sondazhit tjetër Europe Elects tregojnë që prej 720 ulëseve në Parlamentin Evropian, grupi i Partisë Popullore Evropiane – që i përket qendrës së djathtë – do t’i fitojë 180 ulëse, Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve – që i takon qendrës së majtë – pritet të fitojë 138 ulëse, ndërsa Rinovoni Evropën, parti liberale e qendrës, pritet të fitojë 86 ulëse.
Konservatorët dhe Reformistët Evropianë pritet të fitojnë 75 ulëse, ndërsa Identiteti dhe Demokracia pritet të fitojë 68 ulëse.
Partitë tjera më të vogla pritet të fitojnë së bashku 173 ulëse, sipas sondazhit.
Rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2019
Në zgjedhjet e kaluara ka ndodhur një ndryshim i madh në forcat partiake, pasi partitë e qendrës së djathtë dhe ato të qendrës së majtë kanë humbur një pjesë të votave kundrejt partive më të vogla.
Partia Popullore Evropiane dhe Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve kanë humbur 76 ulëse së bashku.
Kjo nënkupton se ato kanë humbur shumicën, që e kanë gëzuar për kohë të gjatë.
Diçka e tillë ka rezultuar me krijim të koalicioneve me grupet partiake të qendrës dhe ato pro BE-së, sikurse Rinovimi i Evropës dhe Të Gjelbrit.
Dalja në votime atë vit pati arritur në 50.66 për qind – shifrën më të madhe në 20 vjet – çka përbën rritje prej 8 për qind prej vitit 2014.
Një realitet i tillë tregon për një rritje të interesit publik në çështjet si ndryshimet klimatike, migrimi dhe pabarazia ekonomike.