
Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka mbajtur të premten, më 9 tetor 2026, seancën e dhjetë për këtë vit, ku ka shqyrtuar dhe miratuar disa çështje që lidhen me sektorin e energjisë në Kosovë.
Në hapje të seancës, kryesuesi i ri i Bordit, Driton Gojani, falënderoi anëtarët e mëparshëm dhe ata aktualë të Bordit, stafin e ZRRE-së, si dhe përfaqësuesit e mediave për bashkëpunimin e deritanishëm. Ai shprehu përkushtimin për vazhdimin e bashkëpunimit në përmbushjen e mandatit dhe objektivave të institucionit, me synim zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të energjisë në vend.
Gjatë kësaj seance, Bordi miratoi aplikacionet për licencimin e Termocentralit „Kosova A” për aktivitetin e prodhimit të energjisë elektrike, si dhe të KEK sh.a. – Termocentrali „Kosova B” për aktivitetin e bashkëprodhimit të energjisë elektrike dhe energjisë termike.
Sipas vendimit, licencat do të kenë afat vlefshmërie nga 9 tetori 2026 deri më 17 gusht 2028.
Po ashtu, Bordi i ZRRE-së miratoi 53 aplikacione për autorizim për vetëkonsum, prej të cilave 46 u parashtruan nga persona fizikë dhe shtatë nga persona juridikë. Kapaciteti total i instaluar i këtyre aplikacioneve arrin në 816 kilovatë (kW).
Në përfundim të seancës, Bordi shqyrtoi edhe çështje të tjera që ndërlidhen me funksionimin dhe aktivitetet e Zyrës së Rregullatorit për Energji.