Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

26 nxënës mbesim pa mësim, shkolla u mbyll si shkak i mungesës së punëtorit teknik

Gazeta10
12 October 2022 - 19:55

Shkolla “Asdreni” në fshatin Llabjan të Novobërdës, ndërpreu sërish mësimin, nga e hëna e kësaj jave. Dryni asaj nuk i është vendosur si shkak i grevës, por për arsye të mungesës së punëtorit teknik. Një gjë e tillë po konsiderohet shqetësuese nga prindërit, derisa drejtori i shkollës fajin ia lë komunës, pasi sipas tij ka dy vite që zvarritet ky problem. Derisa, 26 fëmijë kanë mbetur pa mësim, palët ia hedhin fajin njëra-tjetrës.

Raporti: Saranda Alshiqi, Kamera: Euron Hashani.

Paradokset në sistemin arsimor në Kosovë, nuk kanë të ndalur.

Tash e disa ditë, 26 fëmijë janë duke qëndruar në shtëpi, pasi në mënyrë krejtësisht të çuditshme i është vendosur dryni shkollës “Asdreni” në fshatin Llabjan të Novobërdës.

Kjo shkollë i është rikthyer mësimit pas përfundimit të grevës, por ajo është mbyllur të hënën, për shkak të mungesës së punëtorit teknik. 

Rrahim Ahmeti, i cili ka dy fëmijë në këtë shkollë, thotë se e përjetoi rëndë lajmin për mbylljen e shkollës, derisa e quan të paarsyeshëm një vendim të tillë.

Banorët fajësojnë Komunën e Novobërdës për mbylljen e shkollës së fshatit Llabjan.

Drejtori i shkollës, Albert Mustafa thotë se ka bërë kërkesë në kohë për hapje të konkursit për pranimin e një punëtori teknik, por sipas tij, pavarësisht se ka kandidatë, çështja po zvarritet prej rreth dy vitesh.

Konkursi për këtë ishte hapur disa herë, por që vazhdimisht ishte anuluar.

Pse shkolla ka mbetur pa punëtor teknik, Lirim Gashi nga Lëvizja Vetëvendosje fajëson LDK-së, që bashkëqeverisë me Listën Serbe në këtë komunë.

Ai thotë se LDK-ja u premtoi punësime familjeve të ndryshme, prandaj sipas tij, si shkak i kësaj nuk mund të marrin vendim për zgjedhjen e një personi.

Për akuzat e opozitës, nënkryetari Bajrush Ymeri, i quan gënjeshtra dhe të ulëta, derisa fajin për zvarritjen e konkursit ia lë Listës Serbe, që udhëheq me këtë komunë.

Ndërkaq, televizioni ka provuar të marr një prononcim nga kryetari i Novobërdës, Sasha Millosheviq, por kontakti me të ka qenë i pamundur.

Kurse, zyrtari për Arsim në këtë komunë, Flamur Uka thotë se konkursi për punëtor teknik për shkollën në Llabjan, është në përfundim e sipër.

26 nxënësit e kësaj shkolle do të vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi, pasi vendimi është që ajo të jetë e mbyllur deri në ardhjen e një punëtori teknik./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.