Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

60-vjetori i OEK, drejtori Rafuna: Zotohemi se do të punojmë me të njejtin zell

Gazeta10
02 December 2022 - 20:05

Në 60-vjetorin e themelimit të Odës Ekonomike të Kosovës, drejtori i kësaj ode, Lulzim Rafuna, ka thënë se kjo odë do të punojë me të njejtin zell, raporton Gazeta10.

Ai ka thënë se ky institucion i ka 16.000 anëtrarë nga komuniteti i biznesit të Kosovës.

Më tej ai ka folur edhe për historikun dhe sfidat që ka pasur ky institucion ndër vite.

Tutje, ai ka falënderuar të gjithë anëtarët për besimin e palëkundur në këtë institucion.

Këtu keni fjalimin e tij të plotë:

“I nderuar Kryetar i Kuvendit të Kosovës, zotëri Konjufca, Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës Të nderuar shefa të misioneve të huaja dhe të organizatave ndërkombëtare Të nderuar përfaqësues të Odave në Kosovë Të nderuar partnerë dhe përkrahës të Odës Ekonomike të Kosovës, përfaqësues të komunitetit të biznesit, Më lejoni që t’ju dëshiroj mirëseardhje në këtë ngjarje me të cilën shënojmë një moment të veçantë, 60 vjetorin e Odës Ekonomike të Kosovës. Për mua është kënaqësi dhe emocion i veçantë t’ju drejtohem si Kryetar i OEK-ut, i një institucioni që sot numëron gati 16.000 anëtarë nga komunitetit i biznesit në Republikën e Kosovës. Edhe pse kam vetëm 4 muaj në krye të këtij institucioni, bashkëpunimi, profesionalizmi dhe përkushtimi që kam gjetur këtu më kanë ndihmuar që të kuptoj më mirë të arriturat e këtij institucioni, sfidat nëpër të cilat ka kaluar dhe fuqinë që ka. Prandaj, më lejoni që të flas pak për atë se si kemi ardhur deri te ky moment. 

Me qëllim të koordinimit më të mirë të punëve, si edhe të funksionimit më të efikas të relacioneve ndërmjet shtetit dhe ekonomisë, në vitin 1961 u nxjerr ligji për themelimin e Odës Ekonomike , që në fakt paraqet bashkimin e disa odave që deri atëherë funksiononin si të pavarura. Në vitin 1962, Kuvendi i Kosovës themeloi Odën Ekonomike të Kosovës si organizatë profesionale e të pavarur, jopolitike dhe jofitimprurëse si dhe si institucionin e vetëm të biznesit që është i themeluar me ligj. Në këtë cilësi, Oda Ekonomike e Kosovës vepron edhe sot. Kjo është ajo që nuk ka ndryshuar. Por, është edhe pjesa tjetër e Odës Ekonomike të Kosovës që ka ndryshuar, që është zhvilluar, duke i u përgjigjur ndryshimeve të epokave dhe duke i u përshtatur nevojave të biznesit. Sigurisht që periudha më e vështirë ka qenë ajo e viteve të nëntëdhjeta. Më 1991 shumica e punëtorëve të OEK janë dëbuar nga puna ndërsa me përfundimin e luftës, OEK u desh të ndërtohej pothuajse nga fillimi.

Puna që është bërë në ato ditë është bazuar, më shumë se në çfarëdo tjetër, në vullnetin e mirë dhe në dëshirën që të bashkohen subjektet ekonomike dhe të përfaqësohen interesat e tyre. E organizuar në shoqata, anëtarët brenda shoqatave trajtonin problemet që ndërlidheshin me degët e caktuara, analizonin realizimin e planeve, kujdeseshin për përmbushjen e objektivave dhe analizonin idetë për zhvillim dhe mundësitë për financim të këtyre ideve.  Vetëm në vitin 2005, OEK-u merr formën dhe përmbajtjen e qartë ligjore. Me ligjin për Odën Ekonomike të Kosovës, ajo ka ruajtur vazhdimësinë – si organizatë kulmore e shoqatave të biznesit dhe për përfaqësimin e interesave të punëdhënësve, – fitoi autorizimin për përfaqësimin e punëdhënësve në Dialogun Social në Kosovë, – lëshon dokumente për origjinën e mallit, – themelon gjykatën e nderit, arbitrazhin, etj. Që nga atëherë OEK vazhdon të jetë institucion në shërbim të ekonomisë kosovare, partner i institucioneve shtetërore të Kosovës, partner në dialogun social si dhe promotor i zhvillimit ekonomik dhe politikave të mira makroekonomike. Gjithashtu, Oda Ekonomike e Kosovës analizon gjendjen ekonomike dhe aktivisht propozon forma të reja dhe të avancuara të biznesit vendor dhe bën ndërkombëtarizimin e ndërmarrësisë kosovare, kontribuon në zhvillimin e ndërmarrjeve dhe me profesionalizimin dhe vendosmërinë e saj kontribuon në përafrimin e biznesit kosovar dhe shoqërisë kosovare me vlerat evropiane. 

Sot, Oda Ekonomike e Kosovës ka rreth 16,000 anëtarë individualë, të organizuar përmes 40 shoqatave sektoriale dhe me shtrirje ne 7 njësi rajonale – Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Gjilan, Ferizaj dhe Gjakovë – si dhe departamenteve të cilat funksionojnë në kuadër të shërbimit profesional; OEK-u, në bazë të ligjit mbi Odën Ekonomike të Kosovës, është anëtare e rëndësishme e trupave qeveritare të Republikës së Kosovës, është partner i donatorëve më të rëndësishëm në RKS dhe anëtare e organizatave ekonomike më të rëndësishme botërore, me të vetmin qëllim: përfaqësimin e biznesit kosovar të të gjitha sektorëve. Prandaj, sot, jemi të lumtur të festojmë 60 vjetorin e themelimit të Odës Ekonomike të Kosovës, një dëshmi se ajo u ka mbijetuar kohërave të vështira dhe do të vazhdojë të jetë gjithmonë në shërbim të komunitetit të biznesit kosovar. 

Në fund, më lejoni të falënderoj stafin e mrekullueshëm, profesional e të motivuar, përkushtimi i të cilëve ka bërë që OEK-u të vazhdojë punën dhe të përmbushë misionin e vet e në interes të biznesit pavarësisht rrethanave, përgjatë kaq shumë vitesh. Falënderoj edhe të gjithë anëtarët që kanë qëndruar të palëkundur në besimin për Odën Ekonomike të Kosovës dhe në misionin e saj. Falënderoj edhe të gjithë partnerët, donatorët dhe mbështetësit e Odës Ekonomike të Kosovës që i kanë qëndruar pranë në çdo hap. Pa juve të gjithëve, nuk do të shënonim këtë përvjetor. Për të gjitha ato që keni bërë për ne, Oda Ekonomike e Kosovës u është mirënjohëse thellësisht. Duke festuar sot, njëkohësisht zotohemi të vazhdojmë me të njëjtin zell, me të njëjtën vendosmëri të punojmë për një Odë Ekonomike të Kosovës edhe më të fuqishme, një zë që mbron dhe promovon bizneset e Kosovës, brenda dhe jashtë vendit. Kështu edhe e realizojmë misionin tonë, për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, e me këtë edhe për një shtet e për një shoqëri më të zhvilluar, që jeton në mirëqenie, dinjitet e prosperitet. Ju faleminderit e gëzuar. 2”. / Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.