Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Gjykata vendos për ish-gjyqtarin Sali Berisha

Gazeta10
28 Prill 2023 - 9:25

Është shpallur fajtor dhe është dënuar me 2 vite e gjysmë burgim ish-gjyqtari Sali Berisha i cili akuzohet për marrjen e 2 mijë eurove ryshfet dhe posedim të revoles pa leje. Atij i është shqiptuar edhe dënimi plotësues ku i është ndaluar ushtrimi i funksioneve publike dhe shtetërore për tri vitet e ardhshme.

Aktgjykimi është shpallur të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Mentor Bajraktari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Berisha është dënuar edhe me gjobë prej 4 mijë eurosh për “marrje ryshfeti” dhe 1 mijë euro për armëmbajtje pa leje.

Dënimin unik  me gjobë prej 5 mije eurove duhet ta paguajë në afat prej 1 muaji pas plotëfuqishmërisë së aktgjykimit.

Në seancën e fundit e mbajtur më 24 prill, Prokuroria Speciale kishte kërkuar dënimin e ish- gjyqtari Sali Berisha, ndërsa mbrojta lirimin e tij.

Sipas aktakuzës së ngritur më 5 shkurt 2020, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, i pandehuri Sali Berisha, gjyqtar në Departamentin për Krime të rënda në Gjykatën Themelore të Pejës, akuzohet se në mënyrë të drejtpërdrejtë kishte kërkuar dhe kishte pranuar përfitim në mënyrë që të veprojë në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare.

Siç thuhet në aktakuzë, më 19 shtator 2019, i pandehuri Berisha ishte takuar me dëshmitarin F.Z, prej të cilit kishte pranuar shumën prej 2 mijë euro, e të cilët ishin dakorduar që në një rast ku për dy vepra penale “Kontrabandimi me migrantë” ishte i akuzuar vëllai i dëshmitarit F.Z, i pandehuri Berisha, si kryetar i trupit gjykues, të shqiptojë dënim të favorshëm, ku për këto vepra kishte shpallur dënim prej tre viteve, me kusht që brenda dy viteve të mos kryejë vepër tjetër penale.

Për këtë, ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “Marrja e ryshfetit” sipas nenit 421, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në 12 vjet.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.