
Giovanni Pietro Barbano, gjeneralmajor i karabinierëve italianë me më shumë se 40 vjet përvojë në fushën e rendit dhe ligjit, mori sot detyrën si shef i Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).
Barbano pasoi diplomatin suedez, Lars Gunnar Wigemark, mandati i të cilit skadoi dje.
“Me një ndjenjë të madhe përgjegjësie marr pozitën e kreut të EULEX-it, partnerit strategjik të Kosovës kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit dhe sigurinë. I vetëdijshëm plotësisht për mandatin jashtëzakonisht të rëndësishëm të misionit që drejtoj, do ta bëj punën time në mënyrë profesionale për të ndikuar pozitivisht në terren”, tha Barbano.
Ai ka theksuar se EULEX-i funksionon në kushte të vështira, në mes të tensioneve të shtuara në veri të Kosovës.
“Misioni është një mjet i shkëlqyer për një përgjigje më të gjerë të BE-së ndaj sfidave të sigurisë, pasi që EULEX-i është shkalla e dytë kur bëhet fjalë për sigurinë në Kosovë. Në kuadër të mandatit të tij, EULEX-i do të vazhdojë të punojë për të ruajtur stabilitetin në Kosovë, si dhe për të garantuar sigurinë e të gjitha komuniteteve”.
Duke folur për mandatin e fuqishëm të monitorimit të EULEX-it, Barbano tha:
“EULEX-i do të vazhdojë të monitorojë nga afër rastet e përzgjedhura në nivel të policisë, prokurorisë, gjyqësorit dhe shërbimeve korrektuese, në mënyrë që të vlerësojë se si autoritetet e Kosovës po i trajtojnë këto raste”. Ndër të tjera, monitorimi do të fokusohet në respektimin e të drejtave të njeriut, garancitë e gjykimit të drejtë dhe trajtimin e barabartë të të gjithëve, përfshirë pjesëtarët e komuniteteve joshumicë në Kosovë. “Jam i përulur nga besimi i vendosur tek unë nga shtetet anëtare dhe mezi pres të ndërtoj trashëgiminë e paraardhësit tim Lars-Gunnar Wigemark”, përfundoi Barbano.
EULEX-i filloi në vitin 2008 dhe mandati i tij aktual bazuar në Vendimin e Këshillit 2023/1095 mbulon periudhën deri më 14 qershor 2025.
Misioni i përgjithshëm i EULEX-it është të mbështesë institucionet e përzgjedhura të sundimit të ligjit në Kosovë.