
Drejtoresha e Arsimit në komunën e Prishtinës, Besiana Musmurati, në një përgjigje me shkrim për Gazeta Express ka thënë se nuk do të krijojnë listat me emrat e grevistëve, transmeton Gazeta10.
Musmurati deklaroi se këtë informatë, së bashku me të gjitha komunat e Kosovës, e kanë përcjellë dje tek ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Drejtoresha në këtë përgjigje me shkrim tha se janë kundër instrumentalizimit të komunave “për të ndëshkuar njërën apo tjetrën palë të grevës”.
“Nuk janë krijuar lista të tilla dhe si komunë nuk do t’i krijojmë. Këtë informatë e kemi përcjellë dje tek Ministrja Nagavci së bashku me të gjitha komunat e Kosovës në takim me kolegjiumin e drejtorëve të arsimit. Ne jemi kundër instrumentalizimit të komunave për të ndëshkuar njërën apo tjetrën palë të grevës”, tha Musmurati.
Ajo thotë se Qeveria dhe SBASHK-u duhet të dialogojnë mes vete, në mënyrë që mësimi të fillojë nesër.
“Konsiderojmë që Qeveria dhe SBASHK-u duhet që të kenë dialog mes vete që mësimi të fillojë nesër. Kemi ofruar mbështetjen tonë për Qeverinë nëse kanë nevojë të ndërmjetësojmë dialogun me SBASHK-un. Ne besojmë që dialogu social është mënyra më e mirë për të zgjidhur problemin por asnjëherë nuk do të lejojmë që komunat të instrumentalizohen për qëllime të caktuara”, tha Drejtoresha e Arsimit në Prishtinë./Gazeta10.