
Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se Bashkimi Evropian pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, në aspektin e sigurisë është “e paaftë”.
Të shtunën në Forumin e Dubrovnikut, Gërvalla ka vlerësuar se Bashkimi Evropian nuk mund të garantojë paqe dhe siguri në Evropë.
Sipas saj, janë dy arsye pse BE-ja nuk është në gjendje të ofrojë siguri: nuk ka vullnet politik dhe ka shumë mospajtime brenda unionit.
“Jemi rreshtuar për rreth 90 për qind me Perëndimin kur bëhet fjalë për Ukrainën. Të tjerët që i kemi përreth po e ndihmojnë Rusinë në agresionin e saj për pothuajse dy vjet tashmë pa sanksione nga Bashkimi Evropian. Pyetja kyçe është për sigurinë në Ballkanin Perëndimor është se a mund dhe a është Bashkimi Evropian unioni që mund të garantojë siguri dhe paqe në Evropë? Vlerësimi im është që BE-ja nuk mundet. Sepse nuk është në gjendje dhe e aftë për të ofruar siguri. Arsyet janë të dukshme: nuk ka vullnet politik, ka shumë mospajtim në union dhe pa SHBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një ‘Paper Tiger’ në aspektin e sigurisë. Për shkak se ju e dini këtë, kërkoni paqe në vazhdimësi. Mirëpo, kjo është e rrezikshme. Paqësimi i BE-së me Rusinë ka bërë që Putini të përshkallëzojë”, ka thënë ajo.