
Menaxhmenti i RTK-së ka reaguar lidhur me rastin e djeshëm, ku njëri nga korrospodentet e suspenduar nga puna, Asdren Agushi i akuzoi ata se po e bëjnë këtë për shkak të opinioneve personale politike, ”kritikave ndaj pushtetit”.
Menaxhmenti i transmetuesit publik, ka thënë se korrospodenti nga Gjilani, sipas tyre është suspenduar për shkak se brenda 2 muajve ka realizuar vetëm 6 tema dhe vazhdimisht ka injoruar vendimet e redaksisë.
”Menaxhmenti i RTK-së reagon ndaj shkrimeve dhe deklaratave tendencioze dhe të paverifikuara nga disa media dhe politikanë lidhur me një rast të suspendimit të një gazetari-korrespondent. Suspendimi në fjalë ka të bëjë me shkelje të vazhdueshme të detyrave të punës dhe injorim të kërkesave të eprorëve për realizimin e temave, e assesi për shkak të storieve me karakter kritikues. Sipas shkresave zyrtare, korrespondenti në Gjilan gjatë 2 muajve të fundit, ka realizuar vetëm 6 tema.Për më shumë, pavarësisht kërkesave të redaktorëve, gazetari-korrespondent nuk ka realizuar temat që i janë kërkuar dhe nuk i është përgjigjur emailave zyrtar. Një gjë e tillë bazuar në rregulloren e brendshme të RTK-së që ka për bazë ligjin e punës, konsiderohet shkelje e rëndë. Dhe masat që duhet të ndërmerren janë suspendim ose largim nga puna.”, thuhet në njoftimin e tyre.
Tutje, në njoftim thuhet se asnjëherë nuk janë censurar temat që kishin objekt punën e Qeverisë, ndërsa sipas tyre shprehja e opinioneve është e rregulluar me legjislacion sekondar dhe s’ka të bëj me këtë rast.
”Në asnjë rast të vetëm, RTK-ja nuk e ka censuruar ose pamundësuar realizimin e temave/hulumtimeve që mund të kenë pasur subjekt punën e qeverisë apo komunave, andaj menaxhmenti kërkon nga mediat që para plasimit të lajmeve të tilla, të verifikojnë gjendjen faktike dhe të marrin edhe deklaratën nga pala tjetër. RTK është e gatshme që të ofrojë qasje në të gjithë dokumentacionin e ku mund të verifikohet se punëtori në fjalë në vazhdimësi ka marr vërejtje profesionale nga u.d kryeredaktorja. Sa i përket shprehjes së opinioneve në rrjetet sociale, kjo është po ashtu e rregulluar me legjislacion sekondar, por në këtë rast specifik, masa është ndërmarr për shkelje të kontratës së punës.”, thuhet në njoftim./Gazeta10