
Kreu i GUXO-s, Faton Peci, ka reaguar pas protestës së sotme në të cilën kreu i OVL-UÇK’së, Hysni Gucai, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që ta shkarkojë Donika Gërvallën nga pozita e ministres për shkak të deklarimeve të saj.
Peci ka thënë se çdo përpjekje për stigmatizimin e linçimin e saj do të kundërshtohet ashpër.
Ai ka thënë se njëra prej brigadave të UÇK’së e kishte pasur emrin e Jusuf Gërvallës.
Reagimi i plotë:
Në emër të Partisë Guxo dhe si Kryetar i saj, më duhet të them dy fjalë pas protestës së sotme.
UÇK ka qenë dhe mbetet e krejt kombit shqiptar, ka qenë dhe mbetet simbol e vlerë e këtij populli dhe kështu do të mbetet përjetësisht.
Protesta është shenjë civilizimi dhe e drejtë e garantuar në demokraci. Si të tillë, ne e respektojmë. Mirëpo, çdo përpjekje për stigmatizimin, demonizimin dhe linçimin e Donika Jusuf Gërvallës me anën e manifestimeve të tilla, do të merr kundërshtimin tonë me të ashpër.
Në historinë tonë të gjatë të sakrificës për liri, familja e saj dhe vetë Donika Gërvalla paraqesin një kapitull të rëndësishëm dhe të ndritshëm (njëra nga Brigadat e UÇK-së është quajtur “Jusuf Gërvalla”) dhe është udhërrëfyes e manual se si jetohet e vdiset për atdhe.
Këtë nuk e harrojmë dhe këtë nuk GUXOjmë ta harrojmë!
Prandaj, stop sulmeve ndaj Donika Gërvallës!