
Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha është shprehur i bindur se ish pjesëtarët e UÇK-së që po akuzohen në Hagë janë të pafajshëm.
Në emisionin ‘Gallatë’ me Arben Ahmetin në Kanal10, Berisha ka thënë se nuk ka djalë i UÇK-së që ka bërë krim.
“Nuk ka djalë të UÇK-së që e ka kap pushkën për liri dhe që ka bërë krim, jam i bindur, i kam pa, e di, e njoh atë strukturë, i njoh ata njerëz”, është shprehur Berisha.
Ai tutje ka thënë se UÇK e ka fituar lirin dhe sipas tij, armiqtë përpiqen t’i njollosin luftëtarët e lirisë.
“Na e kemi fituar lirinë, ku të godet armiku më së shumti? Aty ku e ke më së pastërti. Tani njerëzit edhe këtu janë manipuluar, ngase këtu ka pas linja të ndryshme që e kanë luftuar këtë ide. Mirëpo me fitu luftën ndaj UÇK-së nuk mundet as armiku i brendshëm e as Serbia. Na e kem fituar lirinë e Kosovës, pikë”, është shprehur Berisha. /GAZETA10/