Shqipëria dënon aneksimin e katër rajoneve ukrainase nga Rusia.
Përmes një njoftimi për mediat Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, ka bërë të ditur se nuk do të njohë rezultatet e paracaktuara në këto zona.
“Shqipëria dënon referendumet e rreme të organizuara nga Rusia në Ukrainë dhe nuk do të njohë rezultatet e tyre të paracaktuara. Çdo aneksim i territorit të një shteti nga një shtet tjetër, që vjen si pasojë e kërcënimeve ose nga përdorimi i forcës është shkelje e parimeve të Kartës së OKB-së dhe ligjit ndërkombëtar”, thuhet në reagimin e qeverisë shqiptare.
Pas referendumeve të rreme të zhvilluara në katër rajonet e Ukrainës, Kremlini bëri me dije se Presidenti Putin do të nënshkruajë një ligj për aneksimin e tyre.
Zëdhënësi Dmitry Peskov, tha se administratorët e rajoneve të emëruar nga Moska do të nënshkruajnë traktate për t’u bërë pjesë e Federatës Ruse.
Të katër rajonet formojnë një rrip të rëndësishëm tokësor midis Rusisë dhe Gadishullit të Krimesë, të cilin Moska e aneksoi ilegalisht nga Ukraina në vitin 2014./Gazeta10