
Në një draft të Raportit të Progresit nga Komisioni Europian, janë drejtuar një sërë kritikash ndaj udhëheqjes së Kosovës, ku ndër të tjera është përmendur polarizimi politik si dhe vonesat në miratimin e ligjeve, raporton Gazeta10.
Në këtë draft thuhet se qeveria e zgjedhur ka stabilitet politik falë shumicës solide gjë që është dashur të shfrytëzohet për të dërguar përpara reformat, në kuadër të kësaj përmenden vonesat në miratimin e ligjeve kyçe.
“Në Kosovë, qeveria e zgjedhur në vitin 2021, ka gëzuar një stabilitet politik dhe institucional falë shumicës solide. Kjo do të ishte dashur t’i ketë dhënë Kosovës mundësinë për të përshpejtuar përpjekjet për forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe intensifikimin e aktiviteteve legjislative, përfshirë edhe ato të lodhur ame reformat drejt BE-së. Megjithatë, mungesa e shpeshtë e kuorumit në Kuvend, si dhe bojkoti i partive opozitare ka shkaktuar vonesa në miratimin e ligjeve kyç” thuhet në raport.
Tutje, thuhet se klima polariziuese po e dëmton kuorumin e nevojshëm për vendimarrje pavarësisht se qeveria bazohet në një shumicë në numra.
“Puna e Kuvendit vazhdon të ndikohet negativisht nga atmosfera polarizuese politike dhe vështirësitë për të arritur kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje, përkundër faktit se Qeveria bazohet në një shumicë të fortë”, thuhet në dokument.
Më tej, vlerësohet implementimi i mendimit të Komisionit të Venencias për Vetting-un, proces ky që është në koordinim me Bashkimin Europian.
“Përkushtimi i Qeverisë që të implementojë në tërësi mendimin e Komisionit të Venecias për vetting-un e gjykatësve dhe prokurorëve, në bashkëpunim të ngushtë me BE-në, është i mirëpritur”, thuhet në draftin e raportit.
Në këtë raport, Kosovës dhe Serbisë po i kërkohet progres konstruktiv në dialogun mes tyre dhe theksohet se një marrëveshje midis palëve është urgjente për rrugën e tyre europiane.
“Kosovës dhe Serbisë tash u kërkohet që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe t’i avancojnë negociatat për marrëveshjen gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese për normalizim pa vonesa të reja. Një marrëveshjeje të tillë është nevojë urgjente dhe kyçe në mënyrë që Kosova dhe Serbia të mund të avancojnë në rrugëtimin e tyre përkatëse evropiane”, thuhet në raport. / Gazeta10