
Një ditë para se të vendoset për liberalizimin e vizave për Kosovën, pritje të gjata të qytetarëve janë parë para ambasadave, për t’u pajisur me viza. Qytetarët thonë se tërë kjo pritje për liberalizim të vizave është bërë e tepërt dhe e lodhshme për ta. Derisa, njohësit thonë se kësaj ka disponim pozitiv në BE për çështjen e vizave.
Raporti: Gentiana Gashi, Kamera: Valmir Gashi.
Pavarësisht optimizmit, qytetarët e Kosovës sërish duhet të presin nën ethe një vendim të radhës për liberalizimin e vizave.
Të zhgënjyer që deri më tani kanë mbetur të vetmit në rajon me regjim vizash, interesimi për t’ia mësyrë vendeve të Evropës, vazhdon të jetë i lartë.
Disa prej tyre thonë se po presin për t’u pajisur me viza turistike, e disa të tjerë për viza pune, në përpjekje për të krijuar një jetesë më të mirë.
Ata thonë se janë lodhur nga pritjet e gjata tash e sa vjet, duke shpresuar se kësaj radhe të jetë një vendim pozitiv.
Njohës të integrimeve evropiane thonë se aktualisht ka disponim pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Ish-zëvendësministri i Integrimeve Evropiane, Taulant Kryeziu, thotë se pengesat nga dy vendet kryesore të BE-së, Francës dhe Holandës, nuk janë më.
Tash e sa vjet, Kosova ishte vlerësuar se i ka plotësuar të gjitha kriteret e vendosura, por liberalizimi nuk ka ndodhur për qytetarët e saj, duke bërë që ata të mbesin të vetmit në rajon me këtë regjim vizash./Gazeta10