
Gazetari Kosovë Gjoci, në Politiko komentoi zhvillimet e fundit politike në vend, duke theksuar se zgjedhjet mund të jenë të pashmangshme, pavarësisht vendimit që mund të marrë Gjykata Kushtetuese.
Ai tha se, edhe pse nuk mund të gjykojë si profesionist nëse presidentja ka vepruar drejt apo jo, mendon se presidentja Osmani mund të jetë nxituar në vendimin e saj.
“Pajtohem deri diku por, duke mos qenë profesionist, nuk mundem me ia qëllu nëse ka pasur të drejtë Vjosa Osmani apo jo, por mendoj se Osmani është ngut pak, duke marrë parasysh faktin se ne veçse e kishim një lëndë që iu ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese në lidhje me këtë çështje, edhe pse nuk ishte direkt për veprimin e presidentes”, tha Gjoci në Politiko.
Sipas tij, ekziston mundësia që Gjykata Kushtetuese ta rrëzojë dekretin e presidentes, por ai thekson se edhe në atë rast gjasat për një marrëveshje politike mbeten të vogla.
“Gjithmonë duke mos e përjashtuar mundësinë, eventualisht nëse Gjykata Kushtetuese e rrëzon dekretin e saj, normalisht që gjithmonë është një përqindje e vogël me u gjet një konsensus ose një zgjidhje”, tha ai.
Megjithatë, Gjoci vlerëson se zhvillimet aktuale politike tregojnë se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja.
“Në bazë të asaj që unë po e shoh, pak e rëndësishme do të jetë ajo se çka merr vendim Gjykata Kushtetuese. Unë mendoj se zgjedhjet janë të paevitueshme”, deklaroi gazetari.
Sipas tij, dilema kryesore mbetet vetëm periudha kur do të mbahen zgjedhjet.
“Ajo çfarë mund të ndodh është vetëm nëse do të mbahen në prill, maj apo do të mbahen në qershor e korrik”, theksoi Gjoci.
Ai shtoi gjithashtu se një skenar i tillë politik mund t’i konvenojë më shumë Lëvizjes Vetëvendosje, duke pasur parasysh edhe votat nga diaspora./Gazeta 10
Deklarata e plotë: