
Bekim Haxhiu nga Partia Demokratike e Kosovës, në Politiko ka vlerësuar lartë kontributin e legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrrit në rrugëtimin drejt njohjes ndërkombëtare, duke e cilësuar atë si njeriun më meritor për arritjet e deritanishme, shkruan Gazeta 10.
Haxhiu rikujtoi kohët kur Kosova nuk ishte pjesë e UEFA-s dhe FIFA-s, duke theksuar se pavarësisht zhgënjimit të shumë njerëzve, ai kishte besuar vazhdimisht në një të ardhme më të mirë për futbollin e vendit.
Sipas tij, periudha pas vitit 2014, kur FIFA lejoi organizimin e ndeshjeve miqësore, ka qenë një fazë vendimtare për Kosovën. Ai e cilësoi këtë si një test të rëndësishëm për institucionet sportive dhe për shoqërinë në përgjithësi, përfshirë organizimin e ndeshjeve dhe sjelljen e tifozëve.
Haxhiu theksoi se suksesi në këto teste i hapi rrugë pranimit të Kosovës në UEFA dhe më pas në FIFA në vitin 2016, duke shënuar një moment historik për sportin në vend.
Ai përfundoi se rruga deri te këto arritje nuk ka qenë e lehtë, por falë angazhimit të figurave si Fadil Vokrri dhe përkushtimit të lojtarëve, Kosova sot po përjeton momente të rëndësishme në arenën ndërkombëtare të futbollit.