Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Mbahet marshi tradicional kundër kancerit të gjirit

Gazeta10
28 October 2022 - 13:07

Me moton “Zbulimi i hershëm-mbijetesë”, për herë të 16-të në Prishtinë po mbahet, marshi tradicional në muajin e ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, raporton Gazeta10.

Marshi tradicional organizohet nga Qendra Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita”, dhe nga Presidenca.

Në këtë organizim po merr pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, anëtarë të kabinetit qeveritar, ambasadorë të huajë e shumë qytetarë.

Në fjalën e saj, presidentja Vjosa Osmani u ka bërë thirrje të gjitha grave për kontrolle të shpeshta për të parandaluar sëmundjen e kancerit të gjirit.

Para fillimit të marshit tradicional “Zbulimi i hershëm-Mbijetesë”, ajo është zotuar se që nga viti i ardhshëm, presidenca do të mbështes të gjitha gratë me pako onkologjike të protezave gjoksore.

“Për të gjithë ata që ndjejnë sot dhimbjen e humbjes e ndajmë dhimbjen me ju. Jemi këtu se kontrolli i hershëm dhe preventiva shpëtojnë jetë. Dua të ritheksoj se kontrolli i hershëm parandalon dhe shpëton jetë. Armiku më i madh i kancerit të gjirit është kujdesi.”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti ka thënë se shifrat e grave të prekura me kancer të gjirit janë të mëdha dhe ne duhet t’i mbështesim institucionalisht ato.

“Tetori i kushtohet grave që luftojnë me vendosmëri për jetën. Tetori u kushtohet edhe atyre grave që ndërgjegjësojnë të tjera gra. Statistikat tregojnë se përhapja e kancerit të gjirit është 1 në 8 gra, janë shifra të mëdha dhe duhet t’i mbështesim institucionalisht, sikur të ishin edhe më pak shifra. Në këtë drejtim, ne duhet të bëjmë shumë. Si qeveri kemi siguruar buxhet për listën esenciale të barnave.”, ka thënë ai.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit, “Jeta/Vita” u ka bërë thirrje grave që të bëjnë kontrolla të shpeshta, në mënyrë që të parandalohet sëmundja e kancerit të gjirit./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.