
Raporti: Bleona Dallaveraj
Opozita kërkon nga ekzekutivi më shumë transparencë për përmbajtjen e propozimit
Ndonëse ende nuk është bërë publik, paqartësi po vazhdon të krijojë përmbajtja e propozimit franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi. Derisa zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se i njëjti më shumë përkon me interesat e serbëve, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian Viola Von Cramon ka deklaruar se propozimi i përafrohet kërkesave të Kosovës, dhe se vendi duhet ta pranojë të njëjtin. Megjithatë, nga partitë opozitare, e njohës të politikës kanë kërkuar nga ekzekutivi që të mos merr asnjë vendim, pa i njoftuar së pari me përmbajtjen e tij.
Më afër pozicionit të Kosovës apo Serbisë?
Paqartësi të shumta po vazhdon të krijojë përmbajtja e propozimit franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi.
Derisa krerë të shtetit të Kosovës thonë se i njëjti më shumë i afrohet pozicionit të shtetit serb se sa atij të vendit, ndryshe shprehen ndërkombëtarët.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon ka thënë se propozimi i Francës dhe Gjermanisë për dialogun i përafrohet kërkesave të Kosovës dhe që është i pranueshëm për të dyja palët.
Andaj ajo edhe ka këshilluar të dy palët që ta pranojnë një propozim të tillë.
“Mendoj se ka të paktën një kompromis të mirë, me sa di ai është i pranueshëm, është një kompromis shumë i largët dhe uroj që të dyja qeveritë që janë në krye të bien dakord dhe ta pranojnë këtë, asociacioni është pjesë e të gjithë paketës. Nuk do t’i referohesha asociacionit si të tillë, por paketës së përgjithshme si kompromis. Të paktën ajo që kam lexuar është shumë afër me atë që Kosova do të dëshironte të shihte, prandaj do t’i këshilloja secilit që ta pranonte këtë”
Por njëjtë nuk është shprehur edhe zv.kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.
Ai ka thënë se propozimi më shumë i afrohet pozicionit të Serbisë sesa të Kosovës, pasi sipas tij, i njëjti nuk përfshinë marrëveshje finale dhe njohje reciproke në këtë fazë.
E për deklaratat e deritanishme sa i përket këtij propozimi, nga partitë opozitare kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës më shumë transparencë.
Nga PDK kanë thënë se ekzekutivi duhet ta bëjë publik propozimin franko-gjerman.
Ndërsa njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare i kanë kërkuar qeverisë që të mos merr vendime pa e bërë së pari publik propozimin.
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë ditë më parë se detaje të planit franko-gjerman do të bëhen publike së shpejti. / Kanal10