
Profesori i së drejtës kushtetuese, Kolë Krasniqi, ka deklaruar se pas certifikimit të zgjedhjeve të 7 qershorit, institucionet e Kosovës janë të obliguara me Kushtetutë të nisin procedurat për konstituimin e Kuvendit brenda afatit 30-ditor.
I ftuar në emisionin “Gazeta” në Kanal 10, Krasniqi tha se thirrja e seancës konstituive është përgjegjësi e Presidentes së Kosovës, por shtoi se nëse kjo nuk ndodh brenda afatit kushtetues, atëherë vetë Kuvendi ka obligim të mblidhet.
“Këto zhvillime imponohen nga Kushtetuta, e cila i obligon institucionet e vendit që pas certifikimit të zgjedhjeve, brenda 30 ditësh, të fillojnë përgatitjet për konstituimin e Kuvendit. Seancën e thërret Presidentja, por nëse ajo nuk e bën këtë brenda 30 ditësh, atëherë obligimin e ka vetë Parlamenti që të mblidhet”, tha ai.
Krasniqi u shpreh se pret që partitë politike të kenë reflektuar mbi situatën aktuale në vend dhe të veprojnë në funksion të interesit shtetëror.
“Shpresoj që partitë politike janë vetëdijesuar dhe e kanë parasysh gjendjen e përgjithshme në të cilën ndodhet Kosova, por mbi të gjitha interesin kombëtar, që të konstituohen institucionet dhe të ecet përpara. Nëse nuk ka konstituim, nëse nuk ka qeveri dhe mbetemi me ushtrues detyre, asnjë komision parlamentar nuk mund të funksionojë”, theksoi Krasniqi.