Kontaktoni

info@gazeta10.com

Sport

6 kombëtare veçse e kanë siguruar kualifikimin në Botërorin e vitit 2030

Gazeta10
20 July 2026 - 17:06

Spanja sapo ka fituar Kupën e Botës për herë të dytë në histori, por vëmendja tashmë ka kaluar te edicioni i 24-të i turneut, ai i vitit 2030.

Për herë të parë në histori, Kupa e Botës do të organizohet nga tri shtete të dy kontinenteve, me Spanjën, Portugalinë dhe Marokun që janë përzgjedhur si vendet organizatore.

Megjithatë, Botërori 2030 do të sjellë edhe një risi unike. Tri ndeshjet e para të turneut do të zhvillohen në Amerikën e Jugut, në kuadër të festimeve për 100-vjetorin e Kupës së Botës.

Për të shënuar këtë përvjetor historik, Këshilli i FIFA-s miratoi njëzëri organizimin e një ceremonie të veçantë në Montevideo, kryeqytetin e Uruguait, aty ku u zhvillua Kupa e parë e Botës në vitin 1930.

Si rezultat, tri ndeshjet hapëse të turneut do të luhen në Uruguai, Argjentinë dhe Paraguai.

Botërori i vitit 1930 u organizua në Uruguai dhe u fitua pikërisht nga vendasit, të cilët në finale mposhtën Argjentinën. Ndërkohë, Paraguai është vendi ku ndodhet selia e Konfederatës së Futbollit të Amerikës së Jugut (CONMEBOL), e cila ishte konfederata e vetme e futbollit që ekzistonte në atë kohë.

FIFA ka shpjeguar në faqen e saj zyrtare arsyet pse Uruguai, Argjentina dhe Paraguai do të organizojnë nga një ndeshje në Botërorin 2030.

Në deklaratën e saj thuhet: “Edicioni i vitit 2030 përfaqëson një moment simbolik për FIFA-n, pasi shënon 100 vjet nga zhvillimi i Kupës së parë të Botës në Amerikën e Jugut, në tre stadiume. Pas konsultimeve të gjera me të gjitha konfederatat, Këshilli i FIFA-s miratoi një festim unik të njëqindvjetorit të Kupës së Botës në Amerikën e Jugut, konkretisht në Uruguai, Argjentinë dhe Paraguai”.

Spanja, Portugalia dhe Maroku, si vendet organizatore, kanë siguruar automatikisht kualifikimin në Kupën e Botës 2030.

Po ashtu, edhe Uruguai, Argjentina dhe Paraguai kanë rezervuar vendin e tyre në turne, pasi do të jenë organizatorët e tri ndeshjeve të veçanta të njëqindvjetorit.

FIFA ka sqaruar më herët edhe arsyet e përzgjedhjes së këtyre vendeve: “Kandidatura e Marokut, Portugalisë dhe Spanjës për Kupën e Botës FIFA 2030 u propozua nga CAF dhe UEFA. Në mënyrë të ngjashme, kandidatura e Uruguait, Argjentinës dhe Paraguait për festimin e njëqindvjetorit u propozua nga CONMEBOL. Të tria konfederatat mbështetën propozimin e përgjithshëm të këtyre kandidaturave. Në lidhje me këtë të fundit, në varësi të përfundimit me sukses të procesit të kandidimit dhe miratimit nga Kongresi i FIFA-s, ndeshja e njëqindvjetorit do të zhvillohet në Montevideo të Uruguait, si pjesë e ceremonisë përkujtimore, në shenjë njohjeje për rolin e Uruguait si organizatori dhe fituesi i Kupës së parë të Botës në vitin 1930. Një ndeshje do të zhvillohet në Argjentinë, në shenjë njohjeje për rolin e saj si finaliste e Botërorit të vitit 1930. Ndërsa një ndeshje do të luhet në Paraguai, në shenjë njohjeje për faktin se aty ndodhet selia e CONMEBOL-it, konfederatës së parë dhe të vetmes që ekzistonte në kohën e Kupës së Botës 1930”.

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.