
Komentatorja politike Xhevahire Rama-Krasniqi, duke folur në emisionin “Adresa” në Kanal 10, ka komentuar takimin e sotëm mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut, duke e vënë theksin te mënyra se si të dy liderët po e trajtojnë çështjen e presidentit të ardhshëm.
“Zoti Lumir Abdixhiku fshihet pas petkut sikur vjen nga një parti intelektuale. Të dy pretendojnë se duan një president konsensual, por unë mendoj se të dy kanë egon e tyre politike”, është shprehur Krasniqi.
Sipas saj, deklaratat dhe veprimet e dy liderëve nuk përputhen plotësisht me atë që do të duhej të nënkuptonte një proces konsensual.
“Konsensus do të ishte që para takimit të diskutohej seriozisht, të arrihej një pajtim për një emër dhe pas takimit palët të dilnin me një qëndrim të përbashkët. Këtu ende nuk kemi një emër konkret”, ka theksuar ajo.
Krasniqi ka vlerësuar se si Kurti, ashtu edhe Abdixhiku, po përpiqen të paraqiten para opinionit publik si palë që po kërkojnë zgjidhje dhe kompromis, por në të njëjtën kohë secili po ruan interesin dhe pozicionin e vet politik.
“Prandaj, pyetja është nëse po kërkohet vërtet një president konsensual apo secili po kërkon një zgjidhje që i përshtatet kalkulimeve të veta politike”, ka deklaruar Krasniqi./Gazeta10