
Një vaksinë e re e personalizuar, e dhënë në kombinim me një ilaç, ka ndaluar rikthimin e kancerit të lëkurës te pacientët gjatë një prove klinike, duke përfaqësuar potencialisht një moment historik në trajtimin e kancerit.
Vaksina, e zhvilluar nga kompanitë farmaceutike Merck dhe Moderna, iu dha pacientëve me melanoma me rrezik të lartë, një lloj kanceri i lëkurës, pasi ata iu nënshtruan ndërhyrjes kirurgjikale, raporton BBC, transmeton Klankosova.
Rezultatet e hershme tregojnë se kjo vaksinë e re e ka zgjatur periudhën gjatë së cilës pacientët kanë mbetur pa kancer, megjithëse ende nuk është e qartë se për sa kohë, sipas një njoftimi të dy kompanive.
Ekspertët e kancerit e konsiderojnë këtë një përparim të rëndësishëm, por theksojnë nevojën për kujdes, pasi rezultatet e plota ende nuk janë publikuar apo rishikuar nga ekspertë të pavarur, të cilët shqyrtojnë dhe verifikojnë gjetjet e studimit.
Edhe pasi të përfundojë procesi i provave klinike, trajtimi do të duhet të miratohet nga autoritetet rregullatore dhe më pas të kalojë një proces tjetër aprovimi përpara se të vihet në dispozicion në NHS.
Vaksina, e quajtur “Intismeran”, u administrua në kombinim me “Keytruda”, një ilaç imunoterapie që tashmë përdoret në trajtimin e kancerit.
Krahasuar me përdorimin vetëm të “Keytruda”-s, kompanitë thanë se kombinimi i ilaçit me vaksinën e rriti ndjeshëm kohën gjatë së cilës pacientët qëndruan pa kancer dhe uli rrezikun që sëmundja të përhapej në organe të tjera.
Faza e tretë e provës klinike përfshiu më shumë se 1.000 pacientë me melanoma të stadit të dytë, të tretë ose të katërt me rrezik të lartë – që do të thotë se ata varionin nga pacientë me tumore të mëdha në një zonë të caktuar deri te pacientë me kancer që ishte përhapur tashmë në pjesë të tjera të trupit.
“Tregon potencial”
Merck dhe Moderna e quajnë këtë një vaksinë të personalizuar, që do të thotë se ajo funksionon duke synuar tumorin specifik të secilit pacient.
Për krijimin e kësaj vaksine të re, shkencëtarët përdorën teknologjinë mRNA – e përdorur edhe në disa vaksina kundër Covid-19 – për të synuar mutacione specifike brenda qelizave kancerogjene. Kjo u arrit duke hequr kirurgjikisht një pjesë të vogël të tumorit të pacientit dhe duke analizuar ADN-në e tij.
Rezultati është një vaksinë e personalizuar kundër kancerit, e krijuar posaçërisht për tumorin e pacientit, e cila udhëzon sistemin imunitar të njohë dhe të sulmojë çdo qelizë tumorale që mund të ketë mbetur.
Të dyja kompanitë po testojnë vaksina të ngjashme të personalizuara edhe për kancerin e mushkërive, fshikëzës urinare dhe veshkave.
Shefi ekzekutiv i Moderna-s, Stephane Bancel, tha se këto rezultate përfaqësojnë një “moment vendimtar” në fushën e kërkimit të kancerit.
Aksionet e Moderna-s dhe Merck-ut janë rritur ndjeshëm pas këtij njoftimi.
Ekspertët e kancerit e kanë përshëndetur gjithashtu lajmin si pozitiv, por kanë theksuar se gjetjet janë ende në fazë të hershme.
Dr. Talisia Quallo, drejtuese për parandalimin dhe zbulimin e hershëm në “Cancer Research UK”, tha se ky studim “tregon potencial”, por shtoi se të dhënat paraprake ende duhet të shqyrtohen plotësisht.
“Është jetike që kërkime të tilla të vazhdojnë të financohen, në mënyrë që më shumë njerëz me kancer të kenë mundësi trajtimi të personalizuar që t’i ndihmojnë të jetojnë më gjatë dhe me cilësi më të mirë jete”, tha ajo.
Dr. Lennard Lee, onkolog mjekësor dhe profesor i asociuar në Universitetin e Oksfordit, deklaroi:
“Ky është sigurisht një lajm i mirë për pacientët me melanoma, por studimi ka implikime shumë më të gjera. Ai ofron prova parimore se vaksinat e personalizuara kundër kancerit funksionojnë”.