
Analisti politik Ilir Deda, në emisionin “Adresa” në Kanal10, ka folur për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, duke ngritur dilemën nëse Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme të pranojë një president konsensual.
Deda tha se çështja nuk lidhet me kriteret e propozuara nga Albin Kurti, por me gatishmërinë e VV-së për të mbështetur një figurë politike, por jo partiake.
“Edhe këtu nuk ka të bëjë fare me kriteret e Albinit të cilat i propozon, po ka të bëjë me a mundet VV-ja me pranu një president që është politik, jo partiak”, u shpreh Deda.
Sipas tij, Kosovës i nevojitet një president që mund të komunikojë me partnerët ndërkombëtarë, të jetë figurë bashkuese për vendin dhe partitë politike, si dhe të ketë qasje bashkëpunuese ndaj komuniteteve joshumicë.
“Një president që flet normalisht anglisht, që mund të komunikojë me partnerët ndërkombëtarë, që mundet me qetësi me i mbledhë, me qenë pikë përbashkuese në Kosovë e partive politike dhe i cili mundet me ia shtri dorën komuniteteve joshumicë, serbëve të Kosovës në radhë të parë”, deklaroi ai.
Deda theksoi gjithashtu se presidenti duhet të ketë rol në mbrojtjen e Kushtetutës dhe të përfaqësojë atë që ai e cilësoi si “patriotizëm kushtetues”.
“Kjo është çka i duhet Kosovës”, tha Deda.
Ai shtoi se zgjedhja e presidentit në fund varet nga qëndrimi i VV-së dhe gatishmëria e saj për të mbështetur një figurë të tillë.
“Kjo varet nga VV-ja. Nëse dojnë president të dobët, s’kanë me zgjedh president të dobët”, përfundoi Deda./Gazeta10