Kosova Po Pret

24
DITË
14
ORË
37
MINUTA
05
SEKONDA
Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

“Serbia synoi rekrutimin e Kurtit sa ishte në burg”– aktakuza thotë se Shehollit iu gjet në telefon dokumenti i sigurimit serb

Gazeta10
25 August 2026 - 22:24

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale për Fatmir Shehollin i dyshuar për spiunazh, përmendet edhe Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti.  Në faqen 58 të aktakuzës, flitet për misionin e RDB-së serbe për rekrutimin e Albin Kurtit, në kohën sa ai ishte në burgjet serbe.

“Nga analiza e dëshmisë Z#4.1, përkatësisht dokumentit të emërtuar “Leptiri”, të gjetur në telefonin e të pandehurit Fatmir Sheholli, rezulton se bëhet fjalë për një dokument i përpiluar nga struktura të Sigurimit Shtetëror të Serbisë (RDB) në vitin 2001, i cili përshkruan një plan operativ për komprometimin dhe rekrutimin e Albin Kurtit gjatë kohës së vuajtjes së dënimit në burgjet e Serbisë. Sipas përmbajtjes së dokumentit, parashihej përdorimi i një burimi operativ me nofkën “Leptiri” për sigurimin e materialeve komprometuese, me qëllim të ushtrimit të presionit ndaj tij për bashkëpunim me RDB-në.” – thuhet aty.

Ndërkohë, përveç fjalës “rekrutim”, përmendet edhe fjala “komprometim” si dhe “diskreditim”, të gjitha këto të përpiluara në vitin 2001.
Çka ka tjetër në aktakuzën ndaj Shehollit?

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit, duke e ngarkuar me veprat penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”.

Prokuroria pretendon se ai mblodhi dhe përcolli te zyrtari i BIA-s, Bojan Dimiç, informacione për aktivitetet politike, sigurinë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se Sheholli zbatoi plan operacional të përgatitur nga zyrtari serb, me synim “dëmtimin e interesave të Republikës së Kosovës”.

Sipas Prokurorisë, plani synonte edhe “ndërhyrjen direkte në procesin zgjedhor” të 12 tetorit 2025, vetëm pak ditë para votimit.

Më 26 shtator, sipas aktakuzës, Sheholli udhëtoi në Mitrovicën e Veriut, ku pranoi materiale audio dhe transkripte të bisedave të zyrtarëve të lartë.

Materialet, sipas Prokurorisë, ishin destinuar për komprometimin e zyrtarëve të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim dhe u shoqëruan me 5 mijë euro, të cilat sipas aktakuzës i kishte pranuar Sheholli nga zyrtari i BIA-s.

Aktakuza thotë se Sheholli më pas ia dorëzoi materialet gazetarit Milaim Zeka, bashkë me 1 mijë euro dhe udhëzime për publikimin e tyre.

Publikimi ishte planifikuar në emisionin e Zekës, disa ditë para zgjedhjeve lokale, sipas pretendimit të Prokurorisë.

“Me këto veprime konkrete”, thuhet në aktakuzë, Sheholli “ka mundësuar ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të një shërbimi të huaj informativ në një proces zgjedhor”.

2.Zbulohet audio-incizimi Sheholli-Dimic: “Nesër është dita kur duhet me pasë kujdes, me u rujt..”

Në provat materiale që e inkriminojnë Shehollin në veprën penale të spiunazhit, është zbuluar se i njëjti ka mbajtur kontakte të vazhdueshme dhe të koordinuara me Bojan Dimiç, zyrtar i lartë i BIA-së.

Ai akuzohet se ka zbatuar planin e Dimiç, me të cilin është planifikuar pranimi, transportimi dhe publikimi i materialeve të siguruara nga BIA, me qëllim të ndikimit në opinionin publik dhe jetën politike në Republikën e Kosovës, siç edhe janë përshkruar në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze.

 

“Me datë 23.09.2025 (Audio nga Vetura), 20:15:34 PM:

Fatmiri: Për nja 20 minuta do te jem me avokaten, ajo do ta sqaroj mënyrën për ne spital atje…Ajo do te sqaroj se si funksionon dhe cili është plani qe ajo e ka menduar. Për 20 minuta jam te ajo.

Fatmiri: Me thuaj për atë të dytën, çka po bëjmë me ketë te dytën…(bashkebiseduesi nuk dëgjohet)

Fatmiri: A do te me thirre mua dikush apo çka…nesër është data 24, duhet se paku dy dite ti shikojmë, kuptom, nuk është bash qaq e lehtë….vetëm të lutem shiko se ata budallenjtë mund te na përcjellin, me kupto.

Pjesë tjera:

Bojan Dimic: Nesër është dita ku duhet me pas kujdes/ me u rujt

Fatmiri: Po po, nesër, pasnesër, me se voni deri me te 27-tin

Bojan Dimic: Shohim gjate këtyre dy ditëve. E gjitha është e përgatitur…te kish kujdes për shkak te përgjimit, e kupton

Pjesë tjetër:

Fatmiri: Ne rregull, u morëm vesh/u kuptum. Mu nuk ma nin k…, ma ka dhanë G… edhe ditën e mire

Bojan Dimic: nuk dëgjohet

Fatmiri: Po leje atë, ligji thotë, nuk ki nevoje me thane asgjë…Ne rregull është ajo, mos u brengos

Bojan Dimic: U dakordum

Fatmiri: Vetëm deri me te 27-tin, nesër kurrsesi…Te thërras kur te jem me [redaktuar] qe te tregoj ajo per ate

3. Pagesa mujore

Në mesin e dëshmive, Specialja ka vërtetuar veprimet e tij kriminale edhe përmes pagesave mujore që ai ka marrë nga institucionet e Serbisë.

“Nga dëshmia A#21 rezulton se i pandehuri Fatmir Sheholli, gjatë vitit 2015, ka pranuar në mënyrë të rregullt pagesa mujore në llogarinë e tij në Komercialna Banka A.D. Beograd nga dy institucione shtetërore të Republikës së Serbisë, përkatësisht Agjencia Shtetërore e Lajmeve “Tanjug” në shumën totale prej 386.000 dinarësh dhe “Kancelarija za Kosovo i Metohija” në shumën prej 295.000 dinarësh, apo gjithsej 681.000 dinarë.”

Në dosje thuhet se pranimi i këtyre pagesave periodike nga institucione shtetërore serbe që direkt janë të lidhura me BIA-në, i lidhur me angazhimin dhe veprimtarinë e Shehollit, përbën fakt që dëshmon financimin dhe angazhimin e tij në interes të një shteti të huaj.

“…konkretisht nga Serbia dhe në ndërlidhje me provat e tjera të rastit vërtetohet edhe përtej dyshimit të bazuar mirë se i pandehuri ka ndërmarr veprimtari spiunazhi në dobi të BIA-së e në dëm të interesave të Republikës së Kosovës.” – thuhet ndër të tjera në aktakuzë.

4.Sekreti në telefonin e Shehollit: Me fondet e ambasadave islamike të ndërtohen xhami gjithandej Kosovës

Nga analizimi telefonit celular “Apple iPhone” të sekuestruar nga Fatmir Sheholli, si dhe 20,914 fotografive dhe imazheve të ruajtura në folderin “Images”, është evidentuar fotografia me mbishkrimin “Top sekret 2” dhe tekst të shkruar në gjuhën serbe, duke paraqitur përmbajtje të karakterit konfidencial, e cila, sipas Prokurorisë, në ndërlidhje me provat e tjera të administruara, konsiderohet relevante për të vërtetuar natyrën e kontakteve dhe veprimtarisë së të pandehurit në raport me strukturat e shërbimit informativ serb, BIA.

Në dokument, mes tjerash, thuhet:

“Pasi që të bëjmë marrëveshje me operativët tanë në Kosmet, mbledhjen e fondeve nga ambasadat islamike në Beograd shumica e këtyre parave do të investohen në ndërtimin e xhamive. Xhamitë duhet të ndërtohen në vende të dukshme si afër autoudhëve, shkollave, qendrave tregtare ndërsa xhamitë në fshatrat e mëdha duhet të dyfishohen dhe trefishohen”.

Në dokument përmendet gjithashtu zgjerimi i shkollave islame dhe përfshirja e personave nga Kosova dhe rajoni.

“Pranë xhamive, shkollat islamike (medresetë) duhet të shtrihen në të gjithë vendin edhe në ato vende ku interesimi është më i vogël, fëmijë dhe të rritur duhet të barten nga vendet ku feja është më e rëndësishme se kombi si nga vendet Mitrovicë, Vushtrri, Gjeneral Jankoviq, Kaçanik, Dragash dhe Prizren”.

Sipas dokumentit, “krahas operativëve shqiptarë kontribut të madh do të japin edhe njerëzit tanë nga Maqedonia, Bosnja dhe Sanxhaku”, duke përfshirë edhe persona të tjerë “të cilët janë të gatshëm të punojnë për ne dhe të aktivizohen në Islam”.

Dokumenti pretendon po ashtu se udhëheqësit e bashkësive islame të Serbisë, Maqedonisë, Bosnjës dhe Kosovës janë “nën kontrollin tonë” dhe se po punohet për përfshirjen e personave me kombësi shqiptare me ndikim në sport, media, muzikë dhe politikë.

“Edhe në disa parti politike kemi njerëzit tanë të cilët punojnë për ne dhe të cilët e përkrahin fuqishëm islamin dhe të cilët janë të lidhur me udhëheqësit islamë, të cilët janë duke shpërndarë islamin edhe në vendet ku nuk ka pasur kurrë xhami”.

Në pjesën tjetër të dokumentit përmenden edhe persona të deleguar në vendet perëndimore nga bashkësitë islame të Kosovës dhe Sanxhakut, të cilët, sipas përmbajtjes së dokumentit, janë “nën urdhrat e ambasadave tona në Zvicër, Gjermani dhe Belgjikë”.

Dokumenti pretendon se synimi ishte krijimi i një atmosfere në Kosovë ku njerëzit “të ndjehen sikur po jetojnë në një shtet të huaj”, ndërsa një pjesë e rinisë të largohej nga Kosova dhe një pjesë tjetër të vendoste për fenë islame.

“Pas 20 viteve Kosova do të duket si Kandahar. Fuqitë perëndimore do të ndryshojnë mendimin për Kosovën dhe kështu do të vendosin për kthimin e Kosovës nën juridiksionin e Serbisë”.

Në dokument përmendet edhe një pretendim për përsëritjen e përndjekjes së shqiptarëve drejt Turqisë, por këtë herë, sipas përmbajtjes së tij, jo përmes forcës.

Sipas aktakuzës, më 5 gusht 2025, Fatmir Sheholli ia kishte dërguar personit Viktor Makedonija dokumentin e lartcekur “Top Secret 2”, me markimin “CONFIDENTIAL” në prapavijë.

Prokuroria pretendon se në këtë dokument paraqitet një plan apo program politik dhe strategjik i fshehtë, i cili synon zgjerimin e ndikimit të radikalizimit islamik në Kosovë dhe rajon, si dhe përfshirjen e figurave me ndikim në sport, muzikë, media dhe politikë.

Nga analizimi i dokumentit të gjetur në telefonin e të pandehurit Fatmir Sheholli, sipas aktakuzës, rezulton se bëhet fjalë për një plan veprimi që synon destabilizimin e Republikës së Kosovës, krijimin e perceptimit të saj si shtet i radikalizuar dhe ekstremist dhe dëmtimin e pozitës së saj ndërkombëtare.

Dokumenti, sipas Prokurorisë Speciale, parasheh shfrytëzimin e rrjeteve të personave të angazhuar në Kosovë dhe rajon për financimin dhe përhapjen e aktiviteteve fetare, si dhe ndikimin te figura dhe prijës fetarë, me qëllim të krijimit të një narrative negative për Kosovën, nxitjes së migrimit dhe ndikimit në qëndrimet e vendeve perëndimore ndaj saj.

Në këtë kuadër, aktakuza thotë se dokumenti përshkruan si synim afatgjatë krijimin e një gjendjeje në të cilën Kosova do të perceptohej si një shoqëri e radikalizuar dhe e destabilizuar, duke krijuar kështu kushte për ndryshimin e qëndrimit ndërkombëtar ndaj statusit të saj dhe kthimin e saj nën juridiksionin e Serbisë.

“Andaj, përmbajtja e këtij dokumenti, së bashku me faktin se i pandehuri Fatmir Sheholli e ka pranuar dhe shpërndarë atë, në ndërlidhje me provat e tjera të administruara, tregon se veprimet e tij kanë qenë në funksion të përcjelljes dhe realizimit të synimeve të BIA-së serbe”, thuhet ndër të tjera në këtë pjesë të aktakuzës.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.