
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar ashpër ndaj situatës aktuale politike dhe institucionale në Kosovë, duke thënë se vendi po kalon një nga periudhat më të vështira që nga paslufta.
Pas mbledhjes së Kryesisë së partisë, Gjini ka deklaruar se kriza është shtrirë në disa fusha, përfshirë institucionet, ekonominë, arsimin, shëndetësinë dhe marrëdhëniet me jashtë.
Sipas tij, Kosova po largohet gjithnjë e më shumë nga funksionimi normal institucional, ndërsa ka akuzuar pushtetin për shkelje të Kushtetutës dhe për bllokim të krijimit të institucioneve.
“Jemi duke u afruar ditën kur Kosova ka me dalë jashtë çdo norme kushtetuese për themelimin e institucioneve demokratike”, ka thënë Gjini.
Ai ka deklaruar se Aleanca ka ofruar më herët gatishmërinë për të ndihmuar në tejkalimin e krizës, duke theksuar se qëllimi i partisë është që pasojat të jenë sa më të vogla për qytetarët.
Gjini ka drejtuar kritika edhe ndaj menaxhimit të energjisë. Ai ka pretenduar se Kosova po shet thëngjillin e saj, ndërsa më pas importon energji elektrike, duke thënë se kjo po krijon kosto të mëdha për qytetarët.
“Kosova sot, në vend se me prodhuar energji nga thëngjilli i vet, shet thëngjill me vagona”, është shprehur ai.
Kryetari i Aleancës ka kritikuar gjithashtu mënyrën se si, sipas tij, po trajtohet historia e çlirimit të Kosovës dhe raportet me shtetet që kanë ndihmuar vendin.
Ai ka thënë se në Kosovë është krijuar një narrativë që dëmton tregimin për lirinë e vendit dhe ka vlerësuar se përgjegjësinë për këtë e bartin edhe njerëzit që kanë qenë në pushtet gjatë viteve të fundit.
Gjini është ndalur edhe te Kuvendi, duke akuzuar pushtetin se po pengon marrjen e mandateve nga deputetët e zgjedhur dhe, rrjedhimisht, po pamundëson funksionimin normal të institucioneve.