
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza, ka komentuar në emisionin “Gazeta” në Kanal 10 përmendjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit në aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj Fatmir Shehollit, i dyshuar për spiunazh dhe shantazh.
Fejza tha se emri i Shehollit dhe veprimtaria e tij nuk janë të panjohura për Vetëvendosjen, duke theksuar se, sipas saj, ai është denoncuar publikisht në vazhdimësi, madje edhe nga foltorja e Kuvendit.
“Ky emër nuk është i panjohur e as veprimtaria e tij e dyshimtë tashmë. Është përmendur dhjetëra herë dhe ne e kemi denoncuar publikisht atë. Madje edhe nga foltorja e Kuvendit kryeministri e ka denoncuar”, tha Fejza.
Ajo e cilësoi si lajm të mirë arrestimin e Shehollit, ndërsa deklaroi se përmbajtja e aktakuzës tashmë e bën më të qartë, sipas saj, përfshirjen e shërbimeve serbe në përpjekjet për ta dëmtuar figurën e Kurtit.
“Lajm i mirë që ai u kap dhe tash po është e qartë që BIA e Serbisë ka punuar me njerëz për ta diskredituar personalitetin e Kurtit”, u shpreh Fejza.