
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka paralajmëruar se punëtorët teknikë në shkollat e Prishtinës do të hyjnë në grevë më 1 shtator, nëse deri më 31 gusht nuk u dalin pagat në llogaritë bankare.
Azemi, në një lidhje direkte në emisionin “Gazeta” në Kanal10, tha se pakënaqësia e punëtorëve lidhet me mospagesën e pagave për muajin korrik, të cilat, sipas tij, Komuna e Prishtinës nuk i ka paguar në përputhje me kontratën.
Ai tha se sindikata kishte paralajmëruar institucionet që në muajin qershor për shqetësimet që mund të shfaqeshin gjatë ndërrimit të kompanive private, duke kërkuar që punëtorët të mos mbeteshin pa kontrata pune.
“Ne në muajin qershor kemi paralajmëruar dhe kemi pasur takim me nënkryetarin e Komunës së Prishtinës dhe bashkëpunëtorët e tij. Kemi shprehur shqetësimet tona që, në momentin kur bëhet ndërrimi i kompanive private, të mos mbetemi në një farë forme në erë dhe pa kontrata pune”, tha Azemi.
Sipas tij, më 4 gusht sindikata ka paralajmëruar kryetarin e Komunës së Prishtinës, drejtorin e Prokurimit dhe drejtorin e Arsimit se, nëse pagat nuk ekzekutohen deri më 31 gusht, punëtorët do të hyjnë në grevë.
Azemi bëri të ditur se vendimi është marrë nga kryetarët e shoqatave që përfaqësojnë punëtorët e shkollave.
“Vendimi është marrë që greva të fillojë më 1 shtator, nëse pagat tona nuk janë në llogaritë tona bankare”, deklaroi ai./Gazeta10