
Emri i Bekim Sejdiut po qarkullon si një emër konsensual parimisht mes kryetarit të LVV, Albin Kurtit dhe atij të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Por, analisti Shenoll Muharremi ka thënë se kjo mund të jetë “një kurth e Albin Kurtit ndaj LDK-së”.
Kjo pasi, Shenolli tha se Sejdiu si gjykatës i Gjykatës Kushtetuese ishte protagonist në rrëzimin e Qeverisë së Avdullah Hotit, rrjedhimisht thotë si “kjo vështirë krijon konsensus brenda LDK-së”.
‘Me gjasë, Albini e ka kriju një kurth të ri për LDK-në sa i përket propozimit për president. Dihet që propozimi është një protagonist që e ka rrëzu qeverinë e Avdullah Hotit. Pastaj, gjithashtu, ka qenë pjesë e kabinetit të Vjosa Osmanit. Pra, ky është një emër që shumë vështirë krijon konsensus brenda LDK-së. E, nga pozita e Kurtit, pse mos me përça dhe nda edhe më shumë LDK-në, kur ai e ka në plan me shku në zgjedhje? Pse ka pritur aq gjatë, kemi humbur dy muaj deri tani, nëse ai nuk ka plan me shku në zgjedhje përsëri? Tash keni me i pa deputetët e LVV-së duke e potencu që “duhet siguri për të gjitha votat e LDK-së”, që në fund me ekspozu faktin që nuk ka siguri dhe vota”.
“Këtu përgatitet terreni me fajsu LDK-në. Kur në fund të dështojë marrëveshja, narrativa veç është gati “ne e propozuam kandidatin, por LDK-ja nuk i siguroi votat”. Kjo mundet me qenë një lojë e radhës, për shkak se Kurti moti e ka bë mendjen me shku në zgjedhje tjera. Sado i bukur dhe i besueshëm që duket ky tregim me kandidatin në fjalë, vështirë është i realizueshëm. Në fund, viktimë është LDK-ja, por gjithashtu mundet me qenë edhe një goditje e fundit për Osmanin. Kurti, për nga karakteri i tij, nuk ua fal shumë ish-kolegëve dhe kundërkandidatëve kur është fjala te mospajtimet dhe jolojaliteti”, ka shkruar Muharremi.