
Një parregullsi në procesin e përzgjedhjes së ofertave ka bërë që maturantët e Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Xheladin Deda” në Mitrovicë të Jugut të mbesin pa ekskursion. Drejtoria Komunale e Arsimit ka anuluar procedurën, me arsyetimin se komisioni nuk i ka zbatuar në përpikëri kriteret e përcaktuara me udhëzimin administrativ.
Drejtori i DKA-së në Mitrovicë të Jugut, Shefki Begu, ka thënë për KosovaPress se vendimi për anulimin e ekskursionit është marrë vetëm për maturantët e kësaj shkolle.
Sipas tij, Komisioni për pranimin e ofertave nga agjencitë e udhëtimit nuk ka vepruar në përputhje të plotë me dispozitat e Udhëzimit Administrativ nr. 02/2016 të MASHT-it për Aktivitetet Jashtëshkollore.
Begu ka thënë se një tjetër element që është marrë parasysh gjatë vendimmarrjes ka qenë fakti se në këtë proces nuk është përzgjedhur oferta më e lirë.
“DKA ka vendosur që ta anulojë ekskursionin për Shkollën e Mesme të Mjekësisë ‘Xheladin Deda’, pasi Komisioni për pranimin e ofertave nga agjencitë e udhëtimit nuk e ka zbatuar në përpikëri Udhëzimin Administrativ nr. 02/2016 për Aktivitetet Jashtëshkollore. Në fund, vlen të theksohet se nuk është përzgjedhur oferta më e lirë”, ka thënë Begu.