Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Kurti njofton për funksionalizimin e KRE-së: Kosova do të ketë 340 megavat-orë kapacitet për ruajtjen e energjisë

Gazeta10
14 October 2026 - 19:15

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se është mbajtur mbledhja e parë e Bordit Drejtues të Korporatës së Ruajtjes së Energjisë (KRE), ndërmarrje publike në pronësi të plotë të Republikës së Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se korporata është në proces të funksionalizimit me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).

Sipas tij, investimi i përbashkët në sigurinë energjetike të Kosovës kap vlerën e 236.7 milionë dollarëve, ku 202 milionë dollarë janë grant nga MCC-ja, ndërsa 34.7 milionë dollarë janë kontribut i Qeverisë së Kosovës.

Kurti ka theksuar se KRE-ja do të mundësojë ruajtjen e energjisë elektrike kur ka tepricë dhe kthimin e saj në rrjet kur kërkesa rritet, duke ndihmuar në uljen e nevojës për importe gjatë orëve të pikut dhe në balancimin e sistemit energjetik.

Korporata do të operojë me sistemin e baterive në Istog, me fuqi prej 125 megavatësh dhe kapacitet ruajtës prej 250 megavat-orësh. Bashkë me sistemin prej 90 megavat-orësh të KOSTT-it në Ferizaj, Kosova do të ketë 340 megavat-orë kapacitet të ri për ruajtjen e energjisë në pronësi publike./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.