Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Mbretëria e Bashkuar do të dislokojë avionë luftarakë për ta mbrojtur Arabinë Saudite nga sulmet e huthëve

Gazeta10
20 October 2026 - 14:55

Mbretëria e Bashkuar tha të martën se do të dislokojë avionë luftarakë për të mbrojtur Arabinë Saudite nga sulmet e rebelëve huthi në Jemen, aleatë të Iranit, raporton CNN.

MB do të kryejë “misione mbrojtëse kundërajrore” duke përdorur avionët luftarakë Typhoon të Forcave Ajrore Mbretërore, për të mbrojtur qytetet saudite dhe infrastrukturën kritike, tha Ministria e Mbrojtjes në një deklaratë.

Gjatë muajit të kaluar, huthët i kanë intensifikuar sulmet ndaj Arabisë Saudite, duke lëshuar raketa balistike dhe dronë drejt infrastrukturës kyçe, përfshirë objektet e naftës dhe aeroportet.

Mbretëria e Bashkuar tashmë po i ofron Arabisë Saudite mbështetje për furnizimin e avionëve me karburant në ajër dhe ka dislokuar pajisje të mbrojtjes ajrore dhe personel britanik për të ndihmuar në mbrojtjen e mbretërisë, u tha gazetarëve një zëdhënës i Downing Street.

Avionët Typhoon do të interceptojnë raketat dhe dronët e lëshuar kundër Arabisë Saudite dhe nuk do të kryejnë sulme ofensive brenda Jemenit, tha zëdhënësi.

Konflikti është përshkallëzuar që kur huthët njoftuan në korrik se do të shënjestronin transportin detar saudit në Detin e Kuq, si dhe infrastrukturën brenda mbretërisë, pas një sulmi saudit ndaj aeroportit të kontrolluar nga huthët në kryeqytetin jemenas, Sana.

Ata i kanë shtuar sulmet gjatë javëve të fundit, duke kryer sulme të përsëritura ndaj Aeroportit Ndërkombëtar King Khalid të Riadit. Njëri prej këtyre sulmeve vrau 13 persona dhe plagosi më shumë se 300 të tjerë, duke e bërë atë sulmin më vdekjeprurës ndaj Arabisë Saudite në më shumë se një dekadë.

“Sulmet e vazhdueshme të huthëve ndaj aleatit tonë, Arabisë Saudite, janë absolutisht të neveritshme”, tha në një deklaratë sekretari britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting. “Shënjestrimi i aeroportit në Riad, në veçanti, tregon deri ku janë të gatshëm të shkojnë huthët për ta përshkallëzuar situatën në rajon”.

Muajin e kaluar, grupi rebel aleat i Iranit ndërmori një ofensivë të shpejtë në bregdetin perëndimor të Jemenit, duke pushtuar territore kyçe, përfshirë pikën strategjike detare të Bab al-Mandebit në Detin e Kuq, çka potencialisht mund ta zgjerojë ndikimin e Teheranit mbi një tjetër korridor tregtar.

Të mbështetura nga avionët luftarakë sauditë, forcat tokësore të qeverisë jemenase kundër huthëve kanë nisur një kundërofensivë për të rimarrë territoret e humbura. Pavarësisht një fushate të gjerë sulmesh ajrore dhe një ofensive të madhe tokësore, rebelët huthi kanë vazhduar të kontrollojnë lokacione kyçe dhe të lëshojnë raketa e dronë kundër kundërshtarëve të tyre.

Të paktën 53 pjesëtarë të saporekrutuar të forcave qeveritare jemenase u vranë të hënën në një sulm me raketa balistike të kryer nga huthët në provincën juglindore të Shabwas, thanë zyrtarët lokalë.

Sulmi u dënua nga misioni amerikan në Jemen, i cili e cilësoi atë si një “sulm frikacak nga milicia huthi e mbështetur nga Irani” kundër jemenasve që “ishin vullnetarizuar për t’i mbajtur të sigurta komunitetet dhe vendin e tyre”.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.