
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka ngritur shqetësimin për mungesën e mundshme të koordinimit ndërmjet institucioneve në rastet e dhunës ndaj grave, duke theksuar rëndësinë e rolit të prokurorisë në vlerësimin e rrezikut dhe mbrojtjen e viktimave.
Duke folur në Kanal 10, Qelaj përmendi rastin tragjik të Llaushës, të vitit 2002, kur një grua u vra nga bashkëshorti i saj pasi e kishte raportuar rastin në polici.
Ai rikujtoi se gruaja kishte deklaruar se ndihej e kërcënuar, ndërsa vendimmarrja për masat ndaj të dyshuarit dhe sigurinë e saj ishte thelbësore për parandalimin e një tragjedie të tillë.
“Mendoj se prokurori duhet të jetë vigjilent, duhet të jetë në krye të detyrës”, theksoi Qelaj, duke iu referuar përgjegjësisë së institucioneve për të vlerësuar me kujdes rrezikun në raste të tilla.
Sipas tij, në rastin e Llaushës, gruaja ishte kthyer në shtëpi, por më pas ishte vrarë nga bashkëshorti i saj. Qelaj përmendi edhe rolin e prokurorit në vendimmarrjen për rastin, duke rikujtuar se ishte vlerësuar se djali i gruas mund ta siguronte atë, ndonëse nuk i kishte mbushur 18 vjet.
Qelaj theksoi se është ende herët që rrethanat e rasteve të mëparshme të lidhen drejtpërdrejt me rastin e Arlinda Zekajt, por nënvizoi se një nga problemet që mund të shfaqet në raste të kësaj natyre është mungesa e koordinimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse.
“Ajo që vërehet në raste të kësaj natyre është mungesa e koordinimit mes Qendrës për Punë Sociale, avokatit të rastit, prokurorisë dhe gjykatës”, u shpreh Qelaj.