
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para mbledhjes së kabinetit qeveritar, ka folur për situatën në veri dhe sulmet siç i ka quajtur ai nga “bandat kriminale”, duke thënë se sundimi i ligjit është prioritet në Qeverinë e tij, raporton Gazeta10.
Kryeministri iu ka bërë edhe një herë thirrje serbëve që të mos i braktisin institucionet e Kosovës.
“Jemi Qeveri e përgjegjshme e të gjithëve, kundër kriminelëve e përkushtuar për zhvillim, barazi e integrim. Sundimi i ligjit dhe demokracia janë garantuesit më të mirë të paqes. Bëj thirrje edhe një herë që të mos bojkotohen e të mos braktisen institucionet”, tha Kurti.
Ai sqaroi se Policia ka shqiptuar 1 mijë e 12 qortime apo vërejtje për personat që nuk i kanë zëvendësuar targat e automjeteve që i lëshon Serbia.
“Problemi i tyre nuk janë vendimet tona e as afatet që parashihen në to, 1012 qortime janë lëshuar deri sot në mëngjes, asnjë incident i shënuar dhe asnjë ankesë. Problem janë sulmet me bomba, djegiet e veturave e shtëpive… ata që po urdhërojnë braktisjen e institucioneve të Kosovës janë ata të cilëve u pengon ligjshmëria e kushtetutshmëria, luftimi i kriminalitetit e korrupsionit”, ka deklaruar Kurti.
Kryeministri tha se Kosova është partnere e besueshme e miqve të saj dhe se është një vend që do sundim të ligjit sepse mungesa e tij është kërcënim për të gjithë duke përmendur edhe rastet e fundit në katër komunat me shumicë serbe ku qytetarët po ballafaqohen me djegje të veturave./Gazeta10