Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

“Shpresoj që nuk i humbim” – Rama flet sërish për Lojërat Mesdhetare

Gazeta10
24 November 2026 - 12:47

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur shqetësimin se Kosova ende rrezikon të mbetet pa organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, duke thënë se shpreson që ky projekt madhor sportiv të mos dështojë.

Gjatë përurimit të rrugës “Frank Gwizner” në Prishtinë, Rama ka thënë se komuna i ka përmbushur obligimet që i takojnë në kuadër të përgatitjeve për këtë ngjarje, ndërsa përgjegjësinë për përmbushjen e disa prej obligimeve të mbetura ia ka drejtuar nivelit qendror të institucioneve.

Ai ka theksuar se Komuna e Prishtinës po mundohet të kontribuojë edhe përmes gjetjes së alternativave, në mënyrë që Kosova të mos e humbë të drejtën e organizimit të kësaj ngjarjeje sportive ndërkombëtare.

Rama ka pranuar se anulimi i takimit të planifikuar në Athinë me përfaqësuesit e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) e ka bërë edhe më pak optimist për mundësinë e zgjidhjes së kësaj situate, por ka thënë se ende shpreson që institucionet do të arrijnë t’i përmbushin obligimet dhe Kosova do të jetë nikoqire e garës në vitin 2030.

“Po për fat të keq Kosova është ende në rrezik, shpresoj që nuk i humbim. Ne po mundohemi edhe nga niveli lokal që të bëjmë çdo gjë që këto lojëra mos të humben, që të gjejmë alternativa. Ne si kryeqytet i kemi përmbushur të gjitha pikat, është pjesë e nivelit qendror të paguajnë tarifën që kanë nënshkruar edhe me i përmbush pikat që nuk i kanë përmbushur. Pas anulimit të takimit jam edhe më pak optimist mirëpo prapë shpresoj që do ta kryejmë dhe do organizojmë Lojërat Mesdhetare”, theksoi Rama.

Situata pritet të marrë një drejtim më të qartë më 19 dhjetor, kur Komiteti Ekzekutiv i ICMG-së do ta shqyrtojë gjendjen e përgatitjeve dhe propozimin për thirrjen e një Asambleje të Jashtëzakonshme, e cila do të vendosë për të ardhmen e organizimit të Lojërave Mesdhetare në Kosovë.

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.